Arbëri

Nxënësit e “Ismail Qemalit” në Prishtinë refuzojnë të mbajnë mësim të shtunën

Nxenesit ne shkolle

Shkolla fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë ka nisur këtë të shtunë kompensimin e orëve të humbura të mësimit si pasojë e grevës në arsim, me vendim të Ministrisë së Arsimit (MASHTI)

Mirëpo, nxënësit e kësaj shkolle kanë refuzuar të shkojnë në shkollë në ditën e fundjavës të vendosur sipas kalendarit të MASHTI-t.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Mimoza Krasniqi, ka thënë për KOHËN se rreth 75 për qind e nxënësve nuk kanë ardhur në shkollë në ndërrimin e parë.

“Të gjithë mësimdhënësit kanë qenë në proces mësimor. Numri i nxënësve ka qenë shumë i vogël. Në përqindje, prej klasës së gjashtë deri në klasën e tetë, 75 për qind e nxënësve kanë munguar. Një përqindje shumë e vogël kanë qenë. Kemi katër-pesë klasa që nxënësit nuk kanë qenë prezentë”, ka thënë Krasniqi.

Zëvendësimi i orëve të humbura të mësimit si pasojë e grevës së mësimdhënësve është kundërshtuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Arsimit (SBASHK) e po ashtu nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Jeton Demi, kryetar i Këshillit të Prindërve ka thënë të premten në “Sot” të KTV-së se ky vendim përbën shkelje të së drejtës së nxënësve për pushim. Ai ka thënë se derisa me grevë u mohohej nxënësve mësimi, me vendimin e MASHTI-t për kompensim të orëve të humbura të shtunave, atyre tani po u mohohet pushimi.

“Po kalohet në mohim të së drejtës për pushim. Ai vendim mund të kontestohet edhe ligjërisht sepse ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve ua jep të drejtën për pushim dhe të drejtën për aktivitete jashtëshkollore dhe derisa në Kosovë ka aktivitete të shumta të fëmijëve që zhvillohen në fundjavë, ua pamundëson fëmijëve atë aktivitet. Po shihet tendenca për të bërë një shkelje tjetër, përsëri fëmijët janë ata që i vuajnë pasojat. Ne na duhen disa parakushte për të pasur proces normal shkollor, parakusht është që palët të jenë të kënaqura me orarin. Të shtunat nuk kanë çka të negociohen”, ka thënë Demi.