Arbëri

Gllogovica, fshati kufitar i Prishtinës me vetëm 12 familje

Vjeshta ia ka bërë më intensive ngjyrat fshatit piktoresk, Gllogovicës.

I shtrirë në zonën malore të Gollakut, ky është fshati i fundit i Prishtinës që lidhet me Komunën e Kamenicës.

Megjithëse dikur numëronte më shumë shtëpi të banueshme, tash në këtë fshat jetojnë vetëm 12 familje.

Smajl Bekteshi është njëri nga kryefamiljarët e kësaj ane, i cili jeton me bashkëshorten dhe 7 fëmijët e tij.

Ka rreth 40 vjet që ai mban kope të deleve. Dikur kjo ishte puna e tij, por tash thotë se kanë ndryshuar gjërat.

Ai ka ankesa drejt qeverisjes komunale dhe asaj qendrore që nuk po u ndihmojnë fshatarëve.

Me gjithë jetesën e vështirë në fshat, Bekteshi thotë se nuk do ta linte fshatin për të dalë në qytet.

Në mungesë të infrastrukturës, jetesa në këtë fshat është shumë e vështirë, thotë kryetari i Gllogovicës, Asllan Bekteshi.

Kjo ka bërë që shumë banorë ta kenë lëshuar fshatin për të kërkuar një jetë më të mirë.

Gani Bekteshi është njëri ndër ta. Së bashku me familjen e tij, tash e 6 vjet ai është larguar nga fshati.

Megjithatë, kohën më të madhe ai mundohet ta kalojë në vendin ku ka lindur.

Fshatarët kanë paralajmëruar protestë para Komunës nëse nuk iu bëhet një zgjidhje për transportin publik.