Arbëri

Qytetarët edhe këtë vit të rrezikuar nga qentë endacakë

Sulme si këto, e madje edhe me pasoja ndodhin pothuajse çdo ditë.

Prania e madhe e qenve endacakë brenda Prishtinës po bën që qytetarët të ndihen të rrezikuar nga ta.

Punëtorët brenda Kampusit Universitar të Prishtinës, e po ashtu edhe qytetarë të tjerë thonë se në këtë zonë ku ka një numër të madh të qenve endacakë çdo ditë sulmohet ndonjë person.

Megjithëse Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar disa hapa për rritjen e sigurisë së qytetarëve, sulmet e qenve endacakë po vazhdojnë.

E tani kur pritet të fillojnë edhe uljet e temperaturave, sipas qytetarëve, ata do të jenë edhe më të rrezikshëm.

Nga ana e komunës thotë se ata këtë vit kanë bërë 10-fishin e asaj që është bërë më parë në çdo komunë për këtë çështje.

Tashmë komuna ka nënshkruar kontratën dhe ka ndarë parcelë për ndërtimin e strehimores së përkohshme.

Në zonën e Hajvalisë, shumë afër Badovcit, është pjesa ku pritet të ndërtohet qendra për trajtimin e qenve endacakë. Megjithatë ende nuk dihet koha se kur do të fillojnë punimet.

Këshilltari i Sigurisë në Komunë të Prishtinës, Bajram Gecaj, thotë se këtë vit do të jenë 7 kompani që do t’i trajtojnë qentë endacakë.

“Me kornizën ligjore kemi bërë atë çka është e mundur, sepse korniza ligjore nuk lejon vrasjen e tyre. As nuk mund t’i fusim në një hapësirë sepse kalkuloet se kanë shpenzime të mëdha. Nëse i fusim vetëm qentë e Prishtinës, kalkulohet se do duhej të shpenzonim 15 milionë euro në vit. Ne i kemi bërë të gjitha ato që na lejon korniza ligjore. Vitin e kaluar janë trajtuar 700 qenë, e kemi përsëritur atë kontratë e tani i kemi nënshkruar kontratën edhe për 6 loto të tjera, pra do të trajtohen edhe 5 mijë të tjerë përveç atyre 700. Janë nënshkruar 4 kontrata ndërsa 2 të tjera është anuluar pasi nuk ka pasur veteriner që kanë plotësuar kushtet”, tha Gecaj.

Për dallim nga vitet e kaluara, tani këto kompani kanë filluar që qenve endacakë t’ua vendosin edhe mikroçipat. Për zhurmën e madhe që është bërë për këtë çështje ka folur vetë Gecaj.

“Ata kanë filluar punën, ju kemi siguruara çipat në mënyrë që të dimë për secilin qenë se kush e ka trajtuar a është trajtuar sepse vathët edhe humbin ndërsa çipat jo. Nuk ka mundësi të manipulimeve duke thënë se e kanë trajtuar e nuk e kanë bërë një punë të tillë. Është bërë një zhurmë për mikropçipat. Është nxjerrë në diskutim publik strategjia kombëtare për qentë endacak. Prej vitit të ardhshëm do të fillojë aplikimin kjo strategji. Po shpresojmë që qeveria do të jetë më serioze në këtë aspekt”, tha Gecaj.

Për zgjidhje më afatgjate, Gecaj ka paralajmëruar se po mendohet të hapet edhe një qendër rajonale për trajtimin e qenve endacakë në bashkëpunim me të gjitha komunat.