Arbëri

Rrumbullakët e gjelbër në Prishtinë ngjallin kureshtjen e qytetarëve

Trotuaret e Prishtinës janë mbushur me disa rrumbullakë të gjelbër.

Megjithëse janë vendosur për një qëllim, ato kanë ngjallur kureshtjen e gjithë qytetarëve që nuk po e dinë se çka janë.

Janë 5.3 kilometra që janë mbuluar me këto shenja, në pjesë të ndryshme të qendrës së Prishtinës.

Të gjitha këto ndërlidhin mes vete 25 hapësirat që do shfrytëzohen në kuadër të “Manifestës”, për 100 ditë me radhë.

E në këtë mënyrë, do të jetë më e lehtë për vizitorët t’i gjejnë ato.

“Jemi në rrugën ‘Gjorgj Bush’, njëra prej shenjave që të çon në hapësirat e ‘Manifestës’ veç fillojnë këtu. Shenjat që janë këtu të çojnë te hapësirat te kampusi universitar, ku aty kemi 3 hapësira që janë pjesë e ‘Manifestës’, ku janë Biblioteka Kombëtare dhe Galeria Kombëtare, shenjat që i shohin qytetarët, shenjat si një rrumbullakë i gjelbër, ajo shenjë të çon në hapësirat që janë të shfrytëzueshme prej “Manifestës”, në kuadër të bienales për këtë vit”, ka thënë Dardan Hoti, koordinator për media i “Manifestas”.

Si shenjë identifikuese të objektit ku do të mbahen aktivitetet e kësaj bienaleje, janë disa cilindra betoni, në të cilat shumë shpejt do të vendosen edhe informatat rreth programeve.

“Jemi para ‘Hotelit Grand’, njëra prej shenjave që do të jetë në kuadër të ‘Manifestës’ dhe që tregojnë hapësirat ku do të mbahet ‘Manifesta’ është kjo në formë të cilindrit, apo gypit të betonit, ky do të përmbajë informacione gjeneralë për “Manifestën’ gjysmën e një pjese, e në pjesën tjetër do të përmbajë informacione për hapësirën para të cilës gjendet. Këtu do të ketë për gjithë programet që do të zhvillohen në hotelin grand”, ka shpjeguar Hoti.

7 kate të Hotel Grandit janë dhënë në shfrytëzim për “Manifestën”, ku do të paraqiten tema të ndryshme nga 50 artistë, nga data 22 korrik.

Hotel Grandi, ish-fabrika e tullave, sheshet kryesore të Prishtinës, sheshi “Adem Jashari”, Biblioteka Kombëtare, Galeria, Muzeu e shumë objekte të tjera janë hapësirat që do t’i përdorë “Manifesta” për instalacione, piktura e programe të ndryshme që do të zhvillohen.