Arbëri

Ish-kryeshefi i “Pastrimit”: Shkarkimi im është politik

Kryeshefi ekzekutiv i “Hortikulturës”, Isak Rakovica, është shkarkuar nga detyra në këtë ndërmarrje. Brenda një jave, ky është shkarkimi i dytë, pas atij të kryeshefit ekzekutiv të “Pastrimit”, Burim Kelmendi.

Me punën e ndërmarrjes që menaxhonte Rakovica nuk ishte i kënaqur kryetari Përparim Rama, që në ardhje të detyrës.

Në raportin e auditimit të vitit 2021, “Pastrimi” dhe “Hortikultura” janë dy ndërmarrje që kanë marrë opinion të kundërt.

Opinion i kundër jepet në rastet kur auditori nuk ka mundësi të formojë një opinion për shkak të mospërputhjeve thelbësore të pasqyrave financiare.

Përderisa për drejtorin e “Pastrimit” ka njoftuar vetë kryetari Përparim Rama, për Rakovicën njoftimin e ka bërë vetëm asamblistja e LDK-së, Fiknete Bejta, e cila thotë se ndërmarrjet publike meritojnë qasje menaxheriale që rrit vlerën e tyre dhe jo vlerën e pasurive të menaxherëve.

“Një lajm tjetër i mirë për Prishtinën, pas ndryshimit në KRM” Pastrimi” sot u shkarkua edhe kryeshefi i NPL ‘Hortikultura’. Tek KRM “Pastrimi” ka mospërputhje të të dhënave të prezantuara për vitin 2020 në shumën prej mbi 1 milion euro. Tek “Hortikultura” SH.A ka mospërputhje të të dhënave të prezantuara për vitin 2020 në shumën prej mbi 1 milion eurosh. Të gjitha këto fakte dhe argumente në mënyrë më detale janë të paraqitura në raportet e auditimit të këtyre ndërmarrjeve publike. Ndërmarrjet publike të qytetit meritojnë qasje menaxheriale që rrit vlerën tyre dhe jo vlerën e pasurive të menaxherëve”, ka thënë Bejta.

Në anën tjetër, i kontaktuar nga KOHA, Kelmendi i cili vjen nga radhët e AAK-së, thotë se ky është një shkarkim politik.

“Gjetjet e auditorit janë duke u përsëritur qe katër vjet, sepse nuk është në pyetje te kryeshefi, te kompania. Vërejtjet më të mëdha janë kontratat e njëanshme me Komunën e Prishtinës që i kemi, 77 për qind të aksioneve në raport të auditorit thotë se na jemi paguar për 62 mijë klientë, ndërsa kemi shpërndarë fatura për 75 mijë klientë, 13 mijë klientë që i kemi shërbyer pa pagesë. Problemi qëndron te Komuna e Prishtinës jo te ‘Pastrimi’”, ka thënë ish-drejtori i “Pastrimit”, Burim Kelmendi.

Sipas tij, vendimin për shkarkim e ka kuptuar nga lajmet dhe e akuzon komunën për përfitime në kurriz të “Pastrimit”.

“Prej që është bërë kjo marrëveshje, Komuna e Prishtinës i faturon 4.70, ne na paguan 3.80, pra 90 centë dalin në plus, ku i kanë lënë ato para. Ku është 90-centëshi, në cilin dikaster i kanë investuar. Ky është shkarkim politik. Unë vendimin e kam marrë në ora 17:50. Ndërsa e kanë postuar në orën 15:00 në Facebook. Pra, në lajme e kam parë që jam shkarkuar, e 3 orë më vonë më ka ardhur vendimi”, ka deklaruar Kelmendi.

Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinës thotë se vendimet për shkarkim janë marrë nga bordet e kompanive.

“Ju njoftojmë se shkarkimi i kryeshefit ekzekutiv i një Ndërmarrjeje Publike Lokale është kompetencë ekskluzive e Bordit të Drejtorëve sipas nenit 18 të Ligjit nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike”, ka thënë Komuna e Prishtinës.

KOHA mëson se këta nuk do të jenë të vetmit, në vazhdim priten edhe lirime të tjera nga detyra. Kryeshefi ekzekutiv i shkarkuar i “Hortikulturës”, Isak Rakovica, nuk ka pranuar ta komentojë largimin nga pozita.