Arbëri

Kushte të pabarabarta në shkollat e Prishtinës për përdorimin e “E-shkollorit”

Mbi 300 mijë euro i shpenzoi Komuna e Prishtinës për platformën digjitale “E-shkollori” në tre vjetët e fundit.

Por këtë platformë, që ka për qëllim digjitalizimin e vlerësimit të nxënësve, testimin online, komunikimin digjital mësimdhënës-prindër, jo të gjitha shkollat e përdorin.

Për shkak të mungesës së internetit, pajisjeve teknologjike, si dhe problemeve me energjinë elektrike, shkollat në zona rurale të Komunës e kanë të vështirë qasjen në të.

“Te ne është një problem tjetër pasi në fshatra ka mungesë të energjisë elektrike, kjo më së shumti ka qenë problem kur e kemi mbajtur mësimin online”, ka thënë Qamile Gashi, drejtoreshë në shkollën “Rilindja” në Keqekollë.

“Me internet kemi gjithmonë probleme, po ashtu, na pajisje teknike kemi pak ne në Vranidoll ashtu-kështu jemi duke e ndërtuar shkollën e re dhe nuk jemi në objekt tonin, ne jemi në objektin... dhe ne pajisje teknike nuk kemi përveç një kompjuter që e kemi në zyrën e drejtorit”, ka thënë Milaim Islami, drejtor në shkollën “Nënë Tereza” në Vranidoll.

“Boll pak, nganjëherë ka rrjet, nganjëherë nuk ka rrjet”, ka deklaruar Ramë Haxholli, drejtor në shkollën “Fan Noli” në Marevc.

Ndryshe prej institucioneve arsimore në fshatra, qëndrojnë ato në zonën urbane.

Drejtori në shkollën “Emin Duraku”, Visar Osmani, ka thënë se kjo ua ka zvogëluar barrën administrative.

“Jemi strikt të përmbushjes së obligimeve në fund të çdo periudhe, ndërsa mësimdhënësit me kohë i plasojnë planet mujore, ndërsa te testimi kuptohet që një notë nuk mundesh me vendos online sot për sot, po ka mësimdhënës që e vendosin pas procesit mësimor e ka kohën kur një orë-dy e ndan periudhën administrative dhe i vendos notat”, ka thënë Osmani.

Në lidhje me mungesën e kushteve për përdorimin e E-shkollorit, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS.

Ndërkaq për këtë platformë, komuna nënshkroi kontrata me kompaninë themeluese të “E-shkollorit”, “Illyrian” me kosto çdo vit më të lartë.

Sipas drejtorit të kompanisë “Illyrian”, kjo ka ndodhur për shkak se fillimisht kanë nënshkruar kontratë vetëm për nivelin klasor 6-9, ndërsa pastaj kanë përfshirë edhe nivelet e tjera.

“Në komunat fillimisht e kemi pasur për 5 muaj dhe çmimi ka qenë më i ulët për shkak se kemi filluar me ciklin 6-9, ndërsa 1-5 dhe 10:12 nuk kanë filluar në momentin e parë, pastaj me kontratën e dytë kemi filluar edhe me ciklin 1-5 edhe 10-12, mirëpo prapë kontratën qe për 8 muaj, ndërsa kontrata e fundit që e kemi përfshirë 12 muaj, përfshihen edhe shërbime të reja”, ka thënë Dardan Ahmeti.

Sipas Mehmetit, në Komunën e Prishtinës janë të kyçur mbi 87 mijë përdorues në platformë.

Digjitalizimi i arsimit është një ndër pesë objektivat e Ministrisë së Arsimit, mirëpo nuk ka implementim nacional. E-shkollorin e posedojnë vetëm katër komuna.