Arbëri

Musliu për shkarkimin e Kelmendit: S’ka pasur progres dhe ndryshim

Descriptive Text

Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, ka folur për shkarkimin e Burim Kelmendit nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes “Pastrimi”.

Ai në emisionin 038 në KTV ka thënë se kur ka marrë detyrën ka trashëguar shume probleme dhe sfida, duke përmendur edhe ndërmarrjen “Pastrimi”.

Musliu ka thënë se kanë ndërhyrë disa herë duke e zhbllokuar situatën mes “Pastrimit” dhe deponisë.

Sipas tij, ndërmarrja “Pastrimi” nuk i ka qëndruar prapa marrëveshjes.

“Ne kemi filluar të punojmë me një strategji. Nuk ka pasur progres dhe ndryshim, prandaj edhe ka ndodhur shkarkimi. Është bërë me koordinim të të gjithëve. Nuk guxojmë të kemi ngecje dhe bllokada të tilla pasi mbledhja e mbeturinave është shërbim parësor për qytetarët. Ne nuk guxojmë të kemi ngecje në mbledhjen e pastrimit. Ne kemi dalë në terren, janë mobilizuar të gjitha ekipet dhe situata ka ndryshuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, gjendjen financiare të cilën e kanë gjetur ka qenë jo e mirë.

Ai ka thënë se janë munduar që t’i paguajnë në kohë rekord faturat e “Pastrimit”, duke shtuar se i kanë subvencionuar me 100 mijë euro.

Musliu ka thënë se përkundër kësaj përsëri ka pasur ngecje.

“Tani gjatë javës do të takohemi me deponinë që ta zhbllokojmë situatën. Për momentin nuk është diskutuar se kush do ta zë këtë pozitë. Do të jetë konkurs i hapur, dhe nuk besoj që do të ketë persona politikë. Neve na duhet një kuadro profesionale. Unë besoj që në ditët dhe në muajt në vijim do të përmirësohet gjendja”, ka thënë ai.

Sipas tij, deri më tani kanë larguar deri në 44 deponi ilegale, duke bërë edhe rivitalizim të atyre lokacioneve.

Ai ka thënë se ndër vite deponia në Trudë është pastruar, porse serish ka ardhur në gjendje të njëjtë. Ai ka thënë se ajo hapësirë do të rivitalizohet.

Musliu ka thënë se brenda dy javëve do të ketë projekt të ri për shportat e gjepit.

Sipas tij, qëllimi është që të ketë sa më shumë shporta të gjepit.

Ai ka thënë se janë bërë disa formate të rrethojave, duke shtuar se do të mundohen të trajtohen të gjitha lagjet.

Ai ka thënë se shumica prej “kungjave” të ish-kryetarit, Shpend Ahmeti, do të hiqen nga rrugët dhe lagjet e Prishtinë.