Arbëri

Nuk paguajnë tatim, Prishtina shëmtohet nga reklamat pa leje

Është mbuluar kryeqyteti me to.

Banera reklamues pa asnjë kriter janë vendosur në çdo cep të qytetit.

Përveç që i shohim mbi lokale, ato vendosen edhe nëpër rrugë publike me shigjeta që tregojnë vendndodhjen e një biznesi.

Pankartat dhe ekranet e vendosura vend e pa vend po shëmtojnë ndërtesat dhe pamjen e qytetit.

Qytetarët janë kundër tyre dhe kërkojnë nga Komuna e Prishtinës të largohen.

Asnjëra nga pankartat reklamuese të vendosur nga kompanitë e ndryshme nuk kanë leje, e në këtë mënyrë as nuk paguhet tatim për to.

Këtë e ka konfirmuar për KOHËN Drejtoria e Shërbimeve Publike, e cila shton se deri më tash nuk kanë pasur një draft-rregullore në bazë të së cilës do të mund të lëshonin lejen e kërkuar herë pas herë nga bizneset.

Shefi i sektorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Habib Qorri, thotë se përveç se po duken keq vizualisht ato janë edhe të rrezikshme për qytetarët.

“Hapësirat reklamuese të gjitha janë të vendosura pa leje, dhe nuk mund të ketë pagesa. Jemi si drejtori duke e trajtuar si problem të veçantë, është hapësirë e madhe që kanë nevojë për reklamë dhe promovim të bizneseve të tyre dhe për këtë kemi filluar draftimin e rregullores. Jemi vrullshëm duke punuar në draftimin e rregullores dhe hartimin e planit për dimensionim dhe formatizim të llojeve të reklamave dhe në bazë të rregullores që do të dalë, do të bëhen edhe ato. Ato janë të rrezikshme pasi vendosen në vendet ku rrezikojnë të bien mbi qytetarët”, Qorri.

Nga kjo javë pritet të bëhet thirrje për largimin e tyre njësoj sikurse për antenat satelitore.

“Po mendojmë të bëjmë thirrje si për antenat satelitore të largohen edhe reklamat, sepse nuk janë duke u mirëmbajtur dhe për këtë, pasi janë pa leje, të gjitha do të largohen dhe do të vendosen ashtu siç përcaktohen kriteret me rregullore”, tha Qorri.

Sipas Ligjit për Ndërtim me nr. 04/L-110, për çdo intervenim në fasadat e ndërtesave duhet marrë leje nga komuna. Mirëpo, për shkak se nuk ka pasur një rregullore mbi kriteret e vendosjes së tyre, edhe pse ka pasur kërkesa, komuna deri më tani nuk ka lëshuar asnjë leje.