Arbëri

Dëmtohet shtegu i ri i vrapimit që kushtoi 123 mijë euro

Ka pak muaj që ka përfunduar, por gjendja e tij është sikur të ishte i vjetër me dekada.

Është ky shtegu për vrapim në parkun kryesor të “Arbërisë”, i cili kushtoi 123 mijë euro dhe punimet e të cilit kanë përfunduar në dhjetor.

Shtresa prej gome është e dëmtuar në gjithë hapësirën dhe qytetarët thonë se shkatërrimi i shpejtë është dëshmi keqpërdorimi.

Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova, thotë se puna e tij e parë si drejtor ka qenë zgjidhja e kësaj problematike që është trashëguar nga qeverisja e kaluar.

“Shtegu i vrapimit është projekt i vitit të kaluar, i cili ka përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar dhe ka pasur problem, sepse menjëherë pas dy muajve ka filluar prishja e shtegut. Arsyeja ndoshta është sepse është punuar kur ka qenë temperatura jo e mjaftueshme për ato punime, mirëpo ne tani kemi kontaktuar me punëkryesin e asaj kontrate dhe veçse ka filluar renovimi i saj dhe besojmë që brenda një kohe të shkurtër vetëm se do të përfundojë ajo”, tha Rugova.

Për shkak se kontrata është ende e hapur, Rugova thotë se nuk do të paguhen mjetet e mbetura pa u rinovuar ky shteg.

“Nuk është paguar e gjithë kontrata. Kanë mbetur edhe rreth 20 për qind të kontratës e cila do t’i bëhet pas përfundimit të rinovimit të paguhen mjetet. Tani do ta monitorojmë dhe e mirë është se edhe koha është e përshtatshme për punime kështu që nuk ka arsye që të mos vazhdohet puna”, tha Rugova.

KOHA ka tentuar të kontaktojë me grupin e operatorëve ekonomikë “Visar Kuçi B.I” dhe “Iseferi SH.P.K” në lidhje me këtë çështje, mirëpo ata nuk kanë qenë të qasshëm.

13 është numri i tenderëve që i ka fituar kjo kompani në Komunën e Prishtinës.