Arbëri

Dita e parë e testit me qarkullim njëkahor e ngarkon Prishtinën

Ngasësit e automjeteve janë shprehur të pakënaqur me testin e Komunës së Prishtinës për qarkullim njëkahor, që ka nisur të shtunën. Autoritetet komunale kanë thënë se ndryshimet infrastrukturore gjithmonë reflektojnë në pakënaqësi dhe se do të dalin me raport me rekomandime pas dy javësh. Testimi do të vazhdojë edhe të dielën

Jo pak pakënaqësi ka shkaktuar te ngasësit e automjeteve gjendja në trafikun në kryeqytet, gjatë provës së Komunës së Prishtinës për qarkullim njëkahor në unazën kryesore të saj. Testimi ka nisur të shtunën, e shumica prej të intervistuarve kanë thënë se e konsiderojnë të pamundur zbatimin e tij në ditët e punës.

“Kolonë, kolonë, njësoj është... Edhe më keq sesa ka qenë”, ka thënë Burim Krasniqi nga Prishtina.

Ndërsa, shoferi i autobusit, Bashkim Kamberi, ka thënë nuk e sheh të mundshëm zbatimin e qarkullimit njëkahor në unazën kryesore të Prishtinës.

“Sot është e shtunë, e është më lirshëm komunikacioni se bën vaki të martën, është ditë pune, kështu nuk funksionon. Nuk funksionon se është shumë rruga e ngarkuar”, është shprehur ai.

E bashkatdhetari, Ardit Thaqi, është shprehur joshpresëdhënës e i nervozuar me vendimin e Komunës së Prishtinës për qarkullim njëkahor.

“Kurrë këta s’mund ta bëjnë këtu Goteburg të Suedisë, as Evropë s’mund ta bëjnë këtu. Më vjen shumë keq. A e shihni se çfarë tollovie e kanë bërë qytetin?!”, ka thënë ai.

Tollovi ka pasur edhe në rrugë anësore, si në rrugët te “Pejtoni”, në të cilën e gjatë ishte radha e veturave.

“Llugë, llugë n’tona anët. Mos vet!”, ka thënë Emin Martinaj që po kalonte në një prej rrugëve të “Pejtonit” duke pritur të futej në rrugën kryesore.

Në Komunën e Prishtinës kanë thënë se deri më tani kanë identifikuar edhe probleme.

E ka konfirmuar Halil Halili që udhëheq Task-forcën e komunikacionit në Komunën e Prishtinës, derisa ka shtuar se komentet e qytetarëve do të merren parasysh.

“Deri më tani kemi pasur disa probleme, por ndërkohë janë eliminuar. Kemi pasur ndërhyrje të ndryshme në nyjë, në rregullim të shenjave të trafikut, plotësim të elementeve mobile për menaxhim të trafikut. Deri më tani, janë bërë edhe incizime me elemente të teknologjisë, pra me dron, ku janë bërë incizime nga lart ku janë marrë incizimet në kohë reale se në cilat pjesë gjenden kolonat dhe se cilat janë problemet dhe elementet e tjera që mund të paraqiten në të ardhmen. Ndryshime në infrastrukturë rrugore gjithmonë mund të jenë pozitive edhe negative. Edhe komentet do të jenë pjesë e analizës dhe e anketimit dhe analizës nga Task-forca”, ka thënë Halili.

Sipas tij, testi i komunës vazhdon edhe të dielën. Ndërsa me raport final me rekomandime, sipas tij, Task-forca do të dalë pas dy javësh.

Moto e pjesë e programit të kryetarit Përparim Rama, në fushatën e tij për Prishtinën ka qenë që këmbësori do të jetë i pari, transporti publik dhe ai alternativ i dyti, kurse veturat të tretat.

Në paralajmërimin për testim gjatë fundjavës, Komuna e Prishtinës pati thënë se në njëkahore do të kthehen rrugët “Agim Ramadani”, nga semaforët pranë Mensës së Studentëve e deri te rrethrrotullimi prapa ndërtesës së Komunës, rruga “UÇK” nga parlamenti e deri tek ish-Kino Rinia, rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE-së, rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore, rruga “Garibaldi” deri te semaforët pranë hotelit “Grand”, rruga “George Bush” deri te semaforët pranë katedrales dhe rruga “Eqrem Çabej” deri te semaforët pranë Mensës së Studentëve. Edhe pse paralajmërimi ka qenë që lëvizja e trafikut nëpër këtë unazë do të jetë njëkahore në të gjitha korsitë dhe krahët e rrugëve, në raste të caktuara njëra anë e rrugës ka qenë tërësisht e bllokuar.