Arbëri

Rritet çmimi i çerdheve private, Rama e harron premtimin për subvencionim

Kopshtet janë vendet ku shumë fëmijë kalojnë një pjesë të ditës.

Shumë prindër detyrohen t’i dërgojnë ata në kopshtet private ku çmimi është mbi 100 euro, si pamundësi t’i dërgojnë në kopshtet publike ku çmimi është 50 euro.

Me ngritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe të tjera, janë ngritur çmimet edhe në disa institucione parashkollore private.

Këtë e ka konfirmuar edhe Sahadete Gërbeshi, nënkryetare e Asociacionit të Institucioneve Parashkollore Private, e cila thotë se pritet ngritja e çmimit edhe në kopshtet e tjera.

“Faktikisht nuk kam ndonjë informacion të saktë se sa janë rritur apo jo dhe ato janë çështje rregullative brenda çdo institucioni. Mirëpo, është e arsyeshme të ngrihen çmimet për shkak se janë ngritur të gjithë artikujt. Disa kanë çmime më të larta, disa më të ulëta. Disave edhe u janë ngritur qiratë, është e pamundur të ngrihen çmimet e artikujt e të mos ngrihen edhe çmimi i kopshteve, varësisht se sa janë ngritur artikujt me një përqindje të njëjtë kanë m’u rritë edhe çerdhet. Pe marrim shembull peletin është ngritur deri në 50 për qind. Është e pamundur të kontrollohet. Kjo ka ndikuar shumë në shportën e konsumatorëve, e po ashtu edhe te ne”, thotë Gërbeshi.

Pasi janë vetëm 8 çerdhe publike në Prishtinë, kryetari Përparim Rama, gjatë fushatës zgjedhore pati premtuar subvencionimin e prindërve që dërgojnë fëmijët e tyre në kopshtet private me nga 50 euro.

Në kohën kur çmimet e shërbimeve të çerdheve private janë ngritur, Komuna e Prishtinës thonë se nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

“Aktualisht, nuk mund të prononcohem lidhur me këtë, kur kemi diçka konkrete do t’ju njoftojmë”, thotë nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

Sipas asociacionit të kopshteve private, ata janë të rrezikuar nga falimentimi në rast se prindërit nuk subvencionohen nga komuna.