Arbëri

Javën e ardhshme tenderohen 1.2 km të “Rrugës A”

Këto shtëpi janë ndër të paktat që kanë mbetur në këtë lagje, pasi shumica janë dhënë për ndërtim, duke u kthyer ky vend në ndërtesa të larta shumëkatëshe.

Një pjesë e tyre po presin edhe për ndërtimin e Rrugës A, e cila do kalojë nga “Kalabria” deri në “Matiqan”.

Në pritje të ndërtimit të kësaj rruge është edhe Veli Berisha, që në lagjen “Mati 1” jeton që nga vitet ‘90.

Në këtë mënyrë, ai thotë se nuk po mund as të rinovojë shtëpinë e tij.

“Me këto projektet që po i bëjnë po ka ndryshim tërë kohën. Kur shkon me marrë leje për ndërtim nuk të japin leje, por ata nuk japin se thonë se janë ndërtime të larta, jo rruga, por definitivsht nuk mund të bëjmë asgjë ne”, thotë Berisha.

Përveç kësaj, problem i madh për ta është edhe përroi i ndotur i Matiqanit, i cili me ndërtimin e Rrugës A pritet të gjejë zgjidhje.

“Me të thënë të drejtën, era edhe ndotja, fëmijët shkojnë në shkolla. Është katastrofale, kjo komunë me vite të tëra na premton, i marrin votat dhe si duket erdh pranvera dhe ende nuk po vërehet asgjë”, tregon ai.

Në anën tjetër, Elez Krasniqi nuk beson më në premtimet e komunarëve që kjo rrugë do të fillojë të ndërtohet.

“Kur t’i shoh duke punuar atëherë besoj, se jena lodhë. Unë këtu banoj, era këtu vjen, qe sa po presim por nuk ka asgjë. Kjo kishte me qenë mirë për të gjithë, jo vetëm për mu. Nuk e di nëse ka rrugë ose lum që duhet me e mbulua më shumë se këtu”, deklaron Krasniqi.

Fillimi i javës së ardhshme është afati kur pritet të tenderohet 1.2- kilometërshi i parë.

Drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi, thotë se tashmë gjithçka është gati veçse janë duke punuar në zgjedhjen e specifikave të materialeve.

“Jemi në proces të finalizimit të 1.2 kilometrave dhe do ta bëjmë tenderimin e saj. Në të njëjtën kohë jemi duke punuar edhe në rrugën projektuese në depërtimin e Rrugës A në rrugën e Veternikut, sivjet do përfundohet dhe shpresojmë që vitin tjetër me buxhetin e vitit 2023 ta përcjellim për tenderim edhe atë pjesë. Rruga A është e rëndësishme për Prishtinën. Ne edhe gjatë fushatës e kemi pasur të rëndësishme Rrugën A dhe nga fillimi po punojmë në atë drejtim”, tha Xhaferi.

3 korsi në një drejtim, 2 për vetura dhe 1 për autobus; shtegu i çiklistëve, trotuare dhe gjelbërimi anësor do të jenë pjesë e Rrugës A.

Përveç kësaj, në projektin që është bërë gjatë mandatit të Shpend Ahmetit është premtuar edhe kthimi i përroit të Matiqanit në një lum, që do të kalojë përskaj kësaj rruge.

Xhaferi thotë se do të hapet kanali për të, por gjatë procesit do të shikohet nëse ka prurje të mjaftueshme të ujit apo jo.

“Realisht do ta ruajmë si të tillë, në proces do të shohim të gjitha prurjet, por ka shumë diskutime nëse ka ose jo sasi të madhe të ujit. Ne e ruajmë si të tillë dhe në proces do ta shohim se si do të jetë”, tha ai.

Projekti i Rrugës A pritet të kushtojë 10 milionë euro. 6 milionë e 800 mijë euro pritet t’i financojë Ministria e Infrastrukturës, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga Komuna e Prishtinës.