Arbëri

Në “zonën e sigurt”, një person sulmohet nga qentë endacakë

qente endacake, sulm, Prishtina

“Këtu jemi në njërën prej 18 pikave të reja që do të shërbejnë si pikë ushqyese për qentë endacakë. Në total janë 23 pika ushqyese për qentë endacakë. Arsyeja e intervenimit të menjëhershëm ka qenë për t’i siguruar qytetarët. Në bazë të studimeve, aty ku ka pas pika ushqyese nuk ka pas sulm ndaj njerëzve”, pati deklaruar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, më 1 prill të këtij viti teksa njoftoi për njërën nga pikat ushqyese për qentë endacakë që gjendej brenda kampusit të UP-së. Nëntë ditë më vonë, në vendin ku ai përuroi pikat ushqyese, ndodhi një tjetër sulm nga qentë endacakë.

Sipas faqes “Vrojtuesit e Lagjes”, një qytetar është sulmuar nga 6-8 qen në mes të ditës. Përmes fotove shihet se viktima ka pësuar dëmtime në këmbë.

“Sot, përballë Kishës, te Parku, afër Bibliotekës Kombëtare, rreth orës 12:10, më kanë sulmuar afër 6-8 qenë. Ju lutem, kujdes. Mos kaloni andej”, shkruhet në mbishkrimin e fotografive ku shihen dëmtimet e personit të sulmuar nga qentë endacakë.

Vetëm disa ditë më parë, edhe një punonjës i KOHËS, Fidan Imeri, rrëfeu se si ishte sulmuar nga qentë endacakë pikërisht në vendin e njëjtë ku ka ndodhur edhe sulmi i sotëm.

Megjithëse janë ndarë 46 mijë euro dhe Komuna thotë se ka filluar me kastrimin dhe sterilizimin e tyre, sulmet nga qentë endacakë nuk po ndalen.

Kompetencat janë bartur në Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinës tash e 2 vjet, por kjo nuk e ka përmirësuar trajtimin e qenve endacakë.