Arbëri

“Tregu” në proces të likuidimit, Rama paralajmëron një ndërmarrje të re

E marta shënon ditë pazari në Prishtinë.

Por sot kjo ditë nuk karakterizohet nga qytetarët e shumtë, siç ndodhte më parë.

E mbushur me bërllok, mungesa e tezgave, mungesa e parkingjeve për konsumatorë dhe gjithçka e vjetruar në këtë treg, sipas tregtarëve, janë arsyet që nuk ka frekuentim si dikur.

Ata thonë se që nga paslufta nuk ka pasur asnjë intervenim në pazarin ku gjenden pemët-perimet, veshmbathjet dhe gjithçka tjetër, që menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Ndërsa ata thonë se ka mbi një muaj që nuk është pastruar asnjëherë pazari.

Sa i përket kësaj, AKP-ja thotë se ka marrëveshje me kompaninë “Pastrimi” që nga viti 2016, por ajo nuk ka kthyer ndonjë përgjigje për KOHËN në lidhje me gjendjen në të cilën ndodhet tani tregu.

Në anën tjetër, AKP-ja arsyetohet se nuk është bërë asnjë intervenim shkaku se ndërmarrja shoqërore “Tregu” është në proces të likuidimit.

Kjo agjenci thotë se me kryetarin Përparim Rama është diskutuar që kjo ndërmarrje të kalojë nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës.

“AKP-ja ka pasur më herët me ish-kryetarin Shpend Ahmeti, por edhe rishtazi me kryetarin e ri të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, takime ku është diskutuar konkretisht lidhur me bartjen apo transferimin e kompetencave të administrimit dhe menaxhimit me NSH “Tregu” nga AKP-ja te Komuna e Prishtinës. AKP-ja e ka vënë në dijeni kryetarin e ri se është në dispozicion të Komunës së Prishtinës për çdo këshillë, propozim dhe bashkërendim të veprimeve në gjetjen e modalitetit më të përshtatshëm ligjor për transferimin e kësaj ndërmarrjeje nga pronësia shoqërore në atë publike. Për këtë ekziston edhe pajtimi i Asamblesë Komunale. Në këtë drejtim AKP-ja është duke pritur veprime konkrete të shpejta nga Komuna e Prishtinës”, thuhet nga AKP-ja.

Por një gjë e tillë siç duket nuk do të ndodhë. Kryetari Rama gjatë seancës së parë të Kuvendit Komunal ka deklaruar se janë në proces të hartimit të një ndërmarrjeje të re për tregjet.

Ndërkohë tregtarët ankohen për kushtet e rënda.

Përparim Pllana thotë se kanë bërë kërkesë që të kenë një takim me kryetarin Përparim Rama, por ai ende nuk iu është përgjigjur.

“Kemi bërë kërkesë për takim, por ende nuk na ka pritur”, thotë Pllana.

Mehmet Ademi, i cili punon në këtë treg që nga paslufta, thotë se higjiena dhe mungesa e parkingjeve po ndikojnë direkt në mungesë të konsumatorëve.

“Kushtet në të cilat jena duke punuar nuk donë koment, me premtimin e çdo kryetari prej pasluftës dhe fatkeqësisht dhe mjerisht është tregu më i ndotur në Kosovë, është kryeqyteti dhe ne si qytetar të Prishtinës jemi rritur me tregje dhe kryeqyteti duhet t’i ketë të paktën kushtet minimale të punës. Ku jemi duke punuar ne nuk i plotëson as zero kushte për punë, shpresojmë që Rama të mbajë premtimin që e kanë dhënë edhe kryetarët e mëparshëm. Në këtë mënyrë si ne tregtarët ashtu edhe konsumatorët të kenë kushtet ku të furnizohen, sepse tregu ka zgjidhje ka furnizim më të mirë, pemët e perimet janë të freskëta”, thotë Ademi.

E Shemsije Hargaj, e cila shet veshmbathje, ankohet se nuk ka mbulojë dhe gjatë reshjeve të bores dhe shiut ka dëmtime të mëdha.

“Ne këtu i lejmë gjërat dhe një shi me ra na dëmtohen gjërat. Ne këto i marrim me të holla për të mbijetuar dhe dëmin tonë askush nuk vjen të na pyes se a janë shkatërruar apo diçka tjetër. Kush është përgjegjës që të na ndihmojë ne të gjithëve. Unë punoj më shumë se 15 vjet, njëherë kemi punuar në një pjesë tjetër, ndërsa tani prej pandemisë kemi ardhur këtu nuk kemi ku tjetër. Atëherë kanë qenë kushtet jo të mira, por tash janë katastrofë. Kisha dashtë të dal kryetari të na sheh se në çfarë gjendje jemi, për bukë të gojës jemi duke punuar na këtu, le të na sheh, le të na bëj kushtet pak. Më fal që po them po as në Afrikë nuk ka kësi gjendje. Seriozisht këto pamje janë të këqija për neve”, thotë Hargaj.

Për mungesë të higjienës dhe kushteve minimale ankohet edhe Adem Brahimi, i cili çdo të martë vjen nga fshati Prapashticë.

Ndërmarrja Shoqërore “Tregu”, që nga korriku i vitit 2014 është përfshirë në procesin e likuidimit me vendim të Bordit të Drejtorëve.

Sipas AKP-së, ky proces nuk ka përfunduar ende, pasi Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës nuk ka arritur t’i shqyrtojë të gjitha ankesat.