Arbëri

Reshjet e fundit nuk i kanë mbushur Badovcin dhe Batllavën

Temperaturat e ulëta ditëve të fundit në vend kanë ngrirë liqenin e Badovcit.

Ato u shoqëruan edhe me reshje të borës herë pas here, por të cilat nuk mjaftuan për ta mbushur kuotën maksimale të kapërderdhjes në këtë liqen, e as në atë të Batllavës.

Me minus 6 metra nën nivelin maksimal dhe minus 3 metra në liqenin e Batllavës, kompania rajonale e Ujësjellësit po konsideron se këtë vit nuk do të ketë probleme me ujë të pijshëm, vetëm në rast se do të ketë thatësi të madhe mbi vendin tonë.

“Niveli i ujit në liqenin e Badovcit dhe Batllavës është i kënaqshëm, ndoshta jo i bollshëm që të kemi ujë të mjaftueshme edhe për periudhat vijuese. Sot në liqenin e Badovcit kemi -6 metra nën niveli maksimal të kapërderdhjes, ndërkaq nivelin e ujit në liqenin e Batllavës e kemi më mirë, është -3 metra nën kuotën e kapërdherdhjes. Furnizimi me ujë të pijshëm është stabil, përveç paralajmërimeve që i bëjmë për punimet në terren. Gjatë këtij viti nuk do të kemi probleme me ujë të pijshëm, vetëm nëse do të ketë ndonjë thatësi të madhe mbi vendin tonë”, thotë Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KRU “Prishtina”.

Sipas Mjekut, nëse krahasojmë me vitet e kaluara, ky nivel i ujit është i kënaqshëm.

“Ne i kemi dy liqene sipërfaqësore që i furnizon qytetarët dhe duke pasur parasysh që kemi një numër të madh të konsumatorëve që rritet çdo ditë, gjithmonë kemi nevojë që niveli i ujit në dy liqenet tona të jetë mbi kuotën maksimale të kapërderdhjes, mirëpo për shkak të harxhimit të ujit, nga ana e qytetarët. Por duke shkuar me krahasime, në shkurt të vitit 2014, niveli i ujit ka qenë -14 metra nën kuotën maksimale dhe tani mund të themi se kemi një nivel të kënaqshëm. Nëse do të ketë vërshime do të mbushen, por problemi më i madh qëndron tek liqeni i Badovcit i cili ardhjet i ka më të vogla dhe mbushet më pak, ndërsa me liqnin e Batllavës nuk e kemi këtë problem”, tha Mjeku.

E sa u përket reshjeve, nga Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës thonë se është e vështirë të parashikohen me saktësi.

“Për këto 10 ditë të ardhshme pritet të kemi sasi të ulët të reshjeve, por në gjysmën e dytë të muajit kujtoj se sasia e tyre do të rritet. Duke e vërejtur këtë sasi të vogël të reshjeve, muajt e ardhshëm mendoj se do të ketë sasi më të lartë të reshjeve duke potencuar edhe shpërndarjen jo të barabartë. Parashikim me saktësi se në iks-iks muajin do të kemi kaq sasi të reshjeve nuk ka, por duke iu referuar statistikave dhe sasive mesatare për Rrafshin e Kosovës dhe të Dukagjinit unë u mundova të jap një përgjigje të përafërt ndonëse relative. Në bazë të përvojës së gjatë që kam në fushën e meteorologjisë, këto temperatura pozitive që po mbretërojnë aktualisht mund të ndikojnë që në troposferë të zhvillohen shumë procese fizike të cilat më pas mund të na rezultojnë me reshje. Por sa do të jenë këto pohime të sakta, të shohim pas datës 15 shkurt”, tha Besim Aliu, koordinator dhe parashikues i motit në IHMK.

Ndryshe sa i përket cilësisë së ujit të pijshëm, nga K.R.U Prishtina thonë se është 100 për qind i përshtatshëm për konsumim.