Arbëri

46 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë në Prishtinë

Problemet e mëdha të qytetarëve nga qentë endacakë po shfaqen edhe më shumë në sezonin dimëror.

Për shkak se është më vështirë të gjendet ushqim, ata janë më të egërsuar, dhe rastet e sulmeve ndaj qytetarëve janë më të shpeshta.

Komuna e Prishtinës ditë më parë ka ndarë 46 mijë e 360 euro për vazhdimësinë e trajtimit të tyre.

“VETERINA 1 SH.P.K.” është operatori i cili ka fituar kontratën për trajtimin, ku përfshihen zënia, kontrolli, ushqimi, vaksinimi, identifikimi, sterlizimi, hospitalimi dhe lëshimi i qenve endacakë.

Por kjo nismë, sipas drejtorit të kësaj kompanie, Shefki Ajdini, nuk çon drejt zgjidhjes së problemit.

“Efektive dhe e suksesshme mundemi me thanë pjesërisht, se zgjidhjen e problemit nuk mundemi me e zgjidh me këta, po sigurisht se bie numri i qenve, nuk rritet. Por përfundimtare jo, duhet të bëhet edhe identifikimi i qenve me pronarë për t’u zvogëluar numri i qenve endacakë”, u shpreh Ajdini.

Përderisa për momentin ekzistojnë 5 pika ushqyese për ta, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka premtuar se ky numër do të shtohet në 20.

Prishtina kërkon që ky problem të trajtohet në nivel vendi.

“Si Komunë, vazhdimisht kemi kërkuar që problemi i qenve endacakë të trajtohet në nivel vendi , përndryshe do të vështirësohet trajtimi i këtij problemi, sepse lëvizja e qenve nga vendet e tjera përreth nuk mund të ndalohet”, thuhet nga Komuna e Prishtinës.

Në anën tjetër, qytetarët kanë mendime të ndryshme sa u përket qenve endacakë. Disa frikësohen nga ta, e disa të tjerë mendojnë se qentë nuk paraqesin rrezik.

Për shkak se Udhëzimi Administrativ ekzistues është i mangët, Komuna ka krijuar një grup punues.

1. Identifikimi dhe regjistrimi i qenve me vath e mikroçip;

2. Subvencionimi i vazhdueshëm për kastrimin, sterilizimin e vaksinimin e qenve me pronarë;

3. Kontrolli i rreptë i mbarështimit dhe i shitjes së qenve;

4. Kontrolli i vazhdueshëm i riprodhimit të qenve endacakë përmes metodës KSVL (kap, sterilizo, vaksino, lësho);

5. Qendrat për trajtimin e përkohshëm (QTP) dhe qendrat e shpëtimit;

6. Prezantimi i “kujdestarëve të lagjes për kafshët endacake”;

7. Kontrolli i qasjes në resurse – ushqimi i qenve;

8. Fushatë për vetëdijesimin e shoqërisë;

9. Parku i qenve me pronarë (për socializim dhe rekreacion);

10. Inspektorët komunalë për veterinari.

Janë seksionet që do t’iu përmbahen grupi punues për trajtimin e qenve endacakë

Ndryshe, Komuna ka hartuar projektin e ndërtimit të Qendrës për trajtimin e qenve endacakë në Hajvali, por që ai vitin e kaluar është anuluar për shkak të ngritjes së çmimit të metalit në bursën ndërkombëtare.

Gjithashtu, është iniciuar projekti për vazhdimin e trajtimit, i cili ka mbetur në procedurë të prokurimit për shkak të ankesave në OSHP.