Arbëri

Dimri i vështirë në fshatrat me mungesë infrastrukture e energjie

Prapashtica, Dabisheci, Hajkobilla e Gllogovica janë fshatrat më të thella të zonës së Gollakut, që përfshihen në territorin e Prishtinës.

Pranë kanë kufirin me Serbinë.

Gllogovica është një ndër fshatrat që bora e ka mbuluar e që shërbimet janë larg banorëve. Kjo edhe për faktin se fshati ka më afër Kamenicën sesa Prishtinën së cilës i takon.

Pamja piktoreske si gjatë verës po ashtu edhe gjatë dimrit, i karakterizon ato.

Por, për shkak të mungesës së kushteve për jetesë, shumë banorë po lëshojnë shtëpitë e tyre, duke ikur në zonat urbane.

Në Gllogovicë kanë mbetur vetëm 12 shtëpi me banorë të varur nga skema sociale.

Sipas tyre, është komuna ajo që nuk ka bërë asnjë investim që nga paslufta, përveç asfaltimit të rrugës kryesore.

Për shkak se asnjë rrugë dytësore e këtij fshati nuk është e shtruar, kompanitë e pastrimit nuk e largojnë borën, pasi në tender nuk përfshihen rrugët e paasfaltuara.

Si problem më të madh, ata e konsiderojnë mungesën e energjisë elektrike, me të cilën përballen gjatë gjithë vitit. Reduktimet shtohen në dimër thonë ata.

Përveç rrymës, Asllan Bekteshi, i cili është edhe mësues i fshatit, numëron problemet e tjera që i kanë në këtë vend.

Ky fshat dhe fshatrat përreth, çdo ditë e më shumë po shndërrohen në vende ku po kalohet vetëm vikendi.

Në fshatin Dabishec është edhe Qendra e Mjekësisë Familjare.

Një ambulantë ku përveç energjisë elektrike, gjatë sezonit të dimrit mungon edhe uji. Ndërsa stufën e ndezur me dru e përdorin si mjet ngrohjeje.

Mirëpo banorët e këtij fshati, Hajkobillës, Prapashticës dhe Gllogovicës, mund ta shfrytëzojnë atë vetëm ditëve të enjte, kur ekipi mobil nga qendra e Prishtinës shkojnë për t’i vizituar ata.

Këtë qendër të mjekësisë e përdorin shpeshherë edhe banorët e fshatrave të Kamenicës.

Ndërsa ditëve të tjera mund të marrin shërbim nga doktoresha në fshatin Keqekollë, në të cilin shkon tri herë në javë.

Por, në rast se nuk kanë vetura personale ata duhet të ecin për 5 kilometra deri në Prapashticë, ku edhe vjen linja 15 e transportit publik.

Megjithëse është premtuar, komuna e Prishtinës nuk ka mbajtur premtimet që autobusi të vazhdojë deri në Hajkobillë, Dabishec dhe Gllogovicë.

Megjithatë, kjo ka qenë një ndihmesë e madhe për vetë banorët e Prapashticës.

Fshatrat kanë edhe transportuesin e nxënësve dhe mësimdhënësve, që orgnizohet nga komuna për ata që kanë shkollën mbi 4 kilometra larg shtëpisë.

Në këto anë nuk ka asnjë dyqan ushqimor. Si pasojë e kësaj, banorët shkojnë 10 kilometra larg nga këtu, në një fshat të Kamenicës, për t’u furnizuar me gjëra ushqimore.