Arbëri

Ekspertët: Duhen 8 vjet punë për të larguar kolonat nga Prishtina

Pritje të gjata e me shumë minuta janë pjesë e përditshmërisë në ditët e punës në Prishtinë.

Brenda 24 orëve në kryeqytet qarkullojnë rreth 120 mijë automjete e shumica prej tyre janë të regjistruara në territorin e Komunës së Prishtinës.

Nga ora 7:30 e mëngjesit e deri në 8:30, si dhe nga ora 15:30 deri në 17:30 rrugët e Prishtinës, sidomos hyrje-daljet, janë të bllokuara.

Si shkak i kolonave kanë problem edhe qytetarët, të cilët udhëtojnë me transport publik.

Për zgjidhjen e këtij problemi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar ndërtimin e 6 parkingjeve në hyrje të qytetit.

Se parkingjet janë elementi kryesor për zvogëlimin e pritjeve, e thotë edhe eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj.

Mirëpo, qytetarët pritet të përballen me kolona edhe për shumë vjet të tjerë pasi ndërtimi i tyre do të marrë kohë deri në 8 vjet.

“Përveç infrastrukturës edhe terminalet në hyrje të Prishtinës kanë një kosto të madhe. Kam bërë një llogaritje, kostoja e ndërtimit të infrastrukturës komplet dhe terminalet do të kishin kushtuar 200 milionë euro. Kjo është afërsisht gjë që na tregon sa është buxheti i Prishtinës nëse llogarisim te projektet kapitale, sa mund të zgjasin, do të kishin qenë në afatin 8-vjeçar. Do të ishin të mjaftueshme për të zgjidhur një problem afatgjatë në Prishtinë”, ka thënë Dedaj.

Përveç parkingjeve, Dedaj numëron edhe disa gjëra të tjera që do të ndihmonin në zvogëlimin e kolonave.

“Prishtina e ka të nevojshme që t’i bëhej sinjalizimi adekuat sa i përket qarkullimit të automjeteve. Në këtë formë duhet të përcaktohen edhe rrugët njëkahëshe dhe për t’i rregulluar këto është edhe ndërtimi i rrugës A, ku drejtuesit e automjeteve do të kishin pasur një rrugë alternative për të dalë nga qyteti”, ka shtuar ai.

Krahas parkingjeve duhet të fuqizohet edhe transporti publik e të bëhet bileta unifikuese duke përfshirë atë ditore, javore, si dhe mujore, që vlen për të gjitha linjat.