Arbëri

Burgu i ri i Prishtinës jashtë funksionit, 6 muaj pas ndërtimit shpallet tender shtesë

Qelitë e Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë nuk kanë asnjë të paraburgosur, ndonëse u ndërtua në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.

Vonesat në hapjen e kësaj qendre të paraburgimit i pranojnë edhe në Shërbimin Korrektues të Kosovës. 6 muaj pasi u ndërtua ky objekt, është shpallur tender shtesë për furnizim me energji elektrike dhe për impiantin e pastrimit të ujërave të zeza, raporton KTV.

Shqetësim tjetër janë edhe banesat sociale dhe të kategorive të dala nga lufta, të ndërtuara në afërsi të Qendrës së Paraburgimit.

Ministria e Administratës Publike, që i mbikëqyr punimet, në një përgjigje me shkrim, thotë se brenda dy muajve pritet të përfundojnë projektet shtesë për energji elektrike dhe impiantin për pastrimin e ujërave të zeza.

Qendra e re paraburgimit në Prishtinë ka kapacitet për 300 të paraburgosur.