Arbëri

Apostollova nga Gërmia sheh shumë probleme në mbrojtjen e ambientit

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, deklaroi sot se në Kosovë ende kanë mbetur punë për t’u bërë në drejtim të mbrojtjes së ambientit dhe ajrit njëkohësisht.

Ajo këto komente i bëri me rastin e organizimit të aksionit për largimin e mbeturinave në hyrje të Parkut të Gërmisë nga “Let’s Do It Kosova”.

Apostolova theksoi faktin se gjeneratat e sotme do të kenë ndikimin më të madh në ndryshimet klimatike, pasi sipas saj, jemi duke iu afruar pikës që nuk ka kthim pas.

Ajo theksoi se Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është e angazhuar të ndihmojë qytetarët në çështje më të rëndësishme e që sipas saj, njëra ndër to është mbrojtja e ambientit.

“Unë mendoj se dita e sotme që është shumë e nxehtë është një dëshmi e ndryshimeve klimatike dhe kjo na përkujton neve për përgjegjësinë e madhe që kemi lidhur me kujdesin për klimën dhe natyrën. Ende ka mbetur shumë punë për t’u bërë në Kosovë. Do të doja të thosha që BE është shumë e interesuar të ndihmojë Kosovën në këtë aspekt pasi që ne kemi një program shumë të fuqishëm të ndihmës lidhur me këtë. Dhe nuk dua të mos e përmend ndotjen e ajrit sidomos ndotja e rrezikshme e ajrit që ka ekzistuar këtu gjatë dimrit. Kështu që ju lutemi të mbështeteni te ne për të gjitha këto tema që janë shumë të rëndësishme. Kështu që le të japim një shembull se çfarë duhet të bëjë secili", tha Apostolova, e cila u angazhua edhe vetë në heqjen e letrave që gjendeshin në Parkun e Gërmisë.

Drejtori i "Let's do it Kosova", Luan Hasanaj, tha se “Java diplomatike e klimës” në Kosovë është shënuar me aktivitete të shumta dhe se aktiviteti i sotëm është njëri prej tyre. Sipas tij, shoqëria duhet të jetë më e kujdesshme kundrejt ndotjes së ambientit, ndërsa theksoi se fatkeqësisht në Kosovë vazhdon të vërehet mungesa e kujdesit ndaj hapësirave publike.

"Në Kosovë, fatkeqësisht, po vazhdojmë të kemi probleme të mëdha me ndotjen e mjedisit dhe po ashtu ndryshimet klimatike kanë ndikimin e tyre edhe në vendin tonë dhe ajo çfarë më shqetëson më së shumti është që në këtë drejtim shoqëria jonë po vazhdon të mos jetë e kujdesshme. Jemi dëshmitarë që në vendin tonë po shkatërrohen pyjet, po ndoten lumenjtë, kemi gurthyesit që po bëjnë dëme të mëdha. Mos të flasim gjithashtu edhe për shkatërrimin e hapësirës publike, moskujdesit për të, tjetërsimin e pronës. Do të thotë jemi dëshmitarë se kemi një tërësi të problemeve të cilat vazhdojnë të na përcjellin dhe me të vërtetë kjo nuk guxon të ndodhë. Duhet që të reagojmë. Këtë problematikë duhet ta diskutojmë mes vete dhe përfundimisht ta zgjidhim”, ka thënë Hasanaj.

Hasanaj apeloi që posaçërisht institucionet të kujdesen për mjedisin e në veçanti kur bie fjala për investimet në mjedis dhe zbatimin e ligjeve.