Arbëri

Hoxha: Plani që përcakton 8 vjetët e ardhshme të Prishtinës s’duhet të votohet

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, në një konferencë për medie ka kundërshtuar tentimin e komunës së Prishtinës për ta miratuar Planin Zhvillimor Komunal për tetë vitet e ardhshme.

Hoxha ka thënë se dokumenti i cili po tentohet të kalojë është një prej dy dokumenteve më të rëndësishme për Prishtinën.

“Qeverisja aktuale po dëshiron që Planin Zhvillimor Komunal, si dokument pararendës i Hartës Zonale, ta kalojë pa diskutime të gjera e të mirë-organizuara publike, pa pjesëmarrje, pa transparencë”, ka thënë Hoxha.

Sipas saj, qeverisja e kujtdo qoftë nesër në Prishtinë, nuk ka asnjë kuptim nëse planin për 8 vitet e ardhshme të qytetit e bën dikush tjetër në ikje.

“Po e përsëris, ky plan që pritet të hidhet në diskutim publik e vulos “zhvillimin” e Prishtinës për 8 vitet e ardhshme”, ka thënë ajo.