Arbëri

90 milionë euro buxheti i Prishtinës për vitin 2022

90.6 milionë euro parashihet të jetë buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2022 së bashku me buxhetin për ligjin e kryeqytetit.

Gjatë javës u mbajt debat publik për planifikimin e ndarjes së këtij buxheti.

Sipas drejtoreshës për Financa, Valbona Makolli, edhe për vitin e ardhshëm buxheti do të jetë i fokusuar më shumë në investime kapitale.

“Ndërsa personeli mjekësor kërkoi më shumë investim në fushën e shëndetësisë. Rritja e stafit mjekësor në Qendrat e Mjekësisë Familjare, një pikë e re e Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Veternik, si dhe investim më i madh në rinovimin e objekteve shëndetësore, ishin disa nga kërkesat më të mëdha të tyre në debatin publik”, ka thënë Makolli.

“Në atë pikë të mendohet për një ekip mjekësor nga qendra e mjekësisë urgjente, duke marrë parasysh që në atë rrugë ka magjistrale edhe bëhen shumë shpesh aksidente, dhe të shkurtohet koha e intervenimit. Kemi nevojë për t’u ngritur edhe numri në QKMF edhe në Qendrën e Mjekësisë Urgjente. E di që nuk lejohet nga Ministria e Financave, por duhet të bëhet presion”, ka shtuar ajo.

Rrezart Halili, U.d. në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka thënë se buxheti duhet të rritet në renovimin e objekteve ekzistuese.

“Kërkojmë të rritet më shumë buxhet në renovimin e objekteve ekzistuese. Mirëmbajtja e rrjeteve ekzistuese ka jep një satisfaksion të qytetarëve. Nëse janë mundësitë duhet të bëhet më shumë. Si pikë kritike të cilat unë i shoh si drejtor e kemi renovimin sepse janë kërkesat e mëdha. Kjo kërkesë konsiston në fokusimin në rritjen e buxhetit në renovime”, është shprehur Halili.

Kërkesë e tyre ishte edhe zgjerimi i garazhit në Qendrën e Mjekësisë Urgjente, mirëpo sipas drejtorit të Shëndetësisë, Bujar Gashi, ajo nuk është prioritet për vitin e ardhshëm.

“Vitin e ardhshëm i kemi projektet të cilat nuk kanë mund të zhvillohet, njëra nga temat është edhe zgjerimi i garazheve të QMU-së, nuk është e gatshme ende dhe nuk ka mund të realizohet në vitin 2021 dhe nuk besoj që do të bëhet as në vitin 2022. E njëjta mund të jetë si pikë e investimeve kapitale për vitin e ardhshme”, ka thënë Gashi.

Ndërsa Makolli ka treguar edhe për kërkesat e sportistëve dhe të përfaqësuesve të arsimit.

“Ditën e hënë sportistët kanë pasur kërkesën me prioritet ndërtimin e sallave të ndryshme ku ata mund t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre, edhe kërkesa të tjera. Te arsimi ka qenë jashtëzakonisht kërkesa për investime në shkolla, për ndryshimin e dyshemesë dhe dyer e dritare, pra ato kërkesa që janë me prioritet dhe ato do t’i kemi synim”, është shprehur Makolli.

Takimet gjatë kësaj jave u mbajtën edhe me përfaqësuesit e sportistëve; drejtorët e arsimit të shkollave të Prishtinë, si dhe me kryetarët e bashkësive, lagjeve dhe të fshatrave të Prishtinës.

Pas këtyre takimeve do të mblidhet menaxhmenti i Komunës së Prishtinës, ku do të diskutohen edhe mundësitë buxhetore për secilën kërkesë.