Arbëri

“Akull n’Verë” me 70 mijë euro për freski në Prishtinë

Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për 30 net me radhë, nga ora 20:00, do të jetë pikë takimi i qytetarëve që e duan muzikën live.

Në kuadër të “Akull n'Verë” Prishtina po mundohet të sjellë freski në këto ditë të nxehta të verës edhe përmes dekorimeve të 5 shesheve, si dhe rrugëve anësore të tyre që kanë kushtuar 70 mijë euro.

30 shtëpizat do të ofrojnë pije freskuese që nga ora 10:00 e mëngjesit.

Ky organizim, përveç tjerash, ka ardhur si mbështetje për bizneset në kryeqytet, si pasojë e dëmtimeve nga pandemia.

“Shtëpizat dhe kamionët që janë pjesë e ‘Akull n’Verë’ do të jenë të hapura deri në orën 23:00. Aty do të vendosen çadra të ndryshme, do të ketë flladitëse të cilat do t’i përdorin shfrytëzuesit e shtëpizave në këto ditë të nxehta. Kompania ‘Agrocoop’ do të na ndihmojë që pjesa e ‘Zahir Pajazitit’ të dekorohet me lule dhe bimë të ndryshme, pra përmes kësaj po mundohemi që të ketë hije dhe fllad gjatë ditës”, ka thënë Adrian Berisha, drejtor i Kulturës në Prishtinë.

Përveç performancave muzikore, gjatë këtyre ditëve do të ketë edhe aktivitete të tjera.

“Gjatë 30 ditëve do të kemi performanca të ndryshme, ku do të përfshihen muzikë, teatër, balet, net poetike dhe pastaj jemi në kontakt të organizojmë një ditë të vespave në qytetin tonë, tashmë janë dekoruar shumë rrugë të kryeqytetit dhe përmes ‘Akull n’Verë’ ia kemi dhënë një ‘shmek’ qytetit tonë, ku po duket tepër bukur”, ka shtuar Berisha.

E qytetarët po e shohin si një ndryshim të mirë këtë organizim, ku mund të takohen edhe me bashkatdhetarët.

Në kuadër të kontratës së nënshkruar për dekorimin e qytetit gjatë verës janë përshirë: sheshi “Skënderbeu”, sheshi “Adem Jashari”, rruga “Fehmi Agani”, bulevardi “Nëna Terezë”, sheshi “Zahir Pajaziti”, rruga, siç njihet, “Kafet e rakisë”, rruga “Qamil Hoxha”, rruga “Rexhep Luci”, rruga “Luan Haradinaj” dhe në kuadër të kësaj po shikohet mundësia që të dekorohet edhe “Rruga B”.