Arbëri

Në kryeqytet kërkohet orar i veçantë qarkullimi për automjetet e rënda

Në orën e pikut, kolona të gjata të veturave bllokojnë çdo ditë pothuajse të gjitha rrugët kryesore të kryeqytetit.

E për këtë, si shkaktare po shihen automjetet e rënda, të cilat po e vështirësojnë qarkullimin në komunikacion brenda qytetit.

Njohës të çështjeve të komunikacionit dhe qytetarët kërkojnë që për këto automjete të ketë një orar të veçantë të qarkullimit në kryeqytet. Ndërsa, Komuna premtoi se së shpejti do ta hartojë një vendim të tillë.

Zyrtari nga Departamenti i shërbimeve publike në Komunën e Prishtinës, Halil Halili, ka thënë se është duke u shqyrtuar mundësia për kufizimin e transportit të automjeteve të rënda në Prishtinë.

“Ne, deri më tani, kemi vendosur kufizimin e shenjave ku sipas kërkesës së banorëve, policisë ose institucioneve përkatëse ku kemi marrë masa që të kufizohet lëvizja e peshave të rënda në ato segmente ku dëmtohet edhe rruga. Deri më tani nuk kemi vendim ashtu, por do të shtohet mundësia të bëhet një rregullore për këtë lloj transporti, e cila është në zhvillim në Komunën e Prishtinës, por deri më tani do të shtohet mundësia ose oraret bashkërisht me operatorët fizikë që merren me këtë lëmi. Do të shqyrtohet që të bëhet një orar sipas kushteve ose ligjeve të parapara, ku nuk e pengon askënd”, ka thënë Halili.

Halili thekson se nga Komuna do të merren masat adekuate për këtë çështje.

“Jemi duke punuar në këtë drejtim, e kemi ngritur si shqetësim dhe shpejt do të marrim masa. Kemi marrë ankesa për ndotjen e rrugëve, të cilat bëhen nga transporti i kamionëve të rëndë që bëjnë derdhjen e çimentos dhe materiale të ndryshme ndërtimore zall, zhavorr dhe pengesave të tjera që bëhen në trafik, lëvizjet e pakujdesshme, si frenimi”, ka shtuar ai.

Në Prishtinë gjatë periudhës janar-maj të 2021-s pati 60 aksidente trafiku me automjete të rënda. Në po këtë periudhë, mbi 40 mijë tiketa trafiku nga të gjitha llojet e kundërvajtjeve ishin shqiptuar nga Policia e Kosovës.

Nol Dedaj, njohës i komunikacionit ka shpjeguar se Komunës i mungon planifikimi menaxherial për rregulloren e automjeteve të rënda në komunikacion.

“Të bëhet plani i menaxhimit në komunikacion në kuadër të menaxhimit të komunikacionit vendoset pastaj edhe lëvizja transportuese sikurse që janë listat ‘tefta’. Duhet me qenë rregullorja edhe planifikimi në komunikacion”, është shprehur ai.

Naser Lajçi, Ramadan Mazrekaj dhe Ramadan Duraku, njohës të komunikacionit rrugor nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike kanë thënë se lëvizja e makinerive të rënda duhet të bëhet sipas orarit të caktuar, respektivisht gjatë orëve të natës kur fluksi i automjeteve në rrugë është më i vogël.

“Të kushtëzohet orari i lëvizjes në trafik i automjeteve të kompanive të ndërtimit. Mirëpo, duke marrë parasysh intervalet më të ngarkuara gjatë ditës (orët kulmore) të rrugëve nga trafiku, është e preferueshme që lëvizjet e tyre të bëhen jashtë këtyre orëve kulmore. Duhet theksuar se kjo kategori, përveç dëmtimit të rrugës që bëhet nga ngarkesa boshtore, po ndikon edhe në papastërtinë e shtresës qarkulluese të rrugës (balta, betonit dhe mbetjet tjera të ngurta). Jo vetëm që e pengojnë rrjedhën e trafikut në rrugët e zonës urbane të qytetit gjatë lëvizjes së tyre, por këto paraqesin pengesë edhe gjatë realizimit të aktivitetit të tyre ( gjatë operacioneve ngarkim-shkarkim). Vlen të theksohet se kjo kategori e automjeteve gjatë lëvizjes së tyre në zonat urbane, për shkak të karakteristikave të tyre teknike, e ngadalëson zhvillimin normal të trafikut në udhëkryqe, në rrugë të lagjeve (për shkak të dimensioneve gabarite) që në literaturë një automjet i tillë ekuivalentohet me 4 automjete të udhëtarëve. Për t’i eliminuar problemet e tilla, organi kompetent, që në këtë rast është Komuna, duhet të nxjerrë një rregullore për menaxhimin e qarkullimit të këtyre kategorive të cekura më lart. Sigurisht se për hartimin e kësaj rregullore, duhet të ketë një gjithëpërfshirje me pjesëmarrje nga autoritetet komunale, ndërmarrjet tregtare, ndërtimore etj, ekspertët nga lëmi e trafikut dhe transportit, shoqëria civile dhe palët tjera të interesit. Ky problem nuk është problem i sotëm, por problem i trashëguar me vite dhe kërkon një qasje profesionale për zgjidhje”, janë shprehur ata.

Qytetarët pohojnë se komunikacioni në kryeqytet po ngarkohet si shkak i pranisë së automjeteve të punës në kryeqytet, por fajin nuk ua hedh këtyre të fundit.

Ligji për transportin rrugor, neni 123, ka paraparë që të ndalohet qarkullimi në trafikun rrugor për kategori të caktuara të makinave të punës, si: ngarkuesit, ngarkuesit me pirun, buldozerët e bagerët me rrota e zinxhirë, traktorët me zinxhirë, cilindrat e të ngjashme, përveç në rrugën ose në pjesën e rrugës ku zhvillohen punimet ose, në raste të veçanta, me leje të lëshuar nga organi kompetent.

“Ministria, me akt nënligjor, përcakton rregulla për ndalimin dhe kufizimin e qarkullimit të makinave të punës dhe çështje të tjera lidhur me to. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i mjetit, i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni”, thuhet aty.