Arbëri

Nis gara, shumë premtime nga kandidatët për Prishtinën

Descriptive Text

500 euro për çdo fëmijë të lindur, implementimi i monumentit të hyjneshës dhe formimi i spitalit të kryeqytetit janë disa nga premtimet kryesore të AAK-së me të cilat synon të fitojë zgjedhjet në Prishtinë.

Formimi i shtabit zgjedhor për Prishtinën ka bërë që AAK tashmë të hedhë në letër edhe programin qeverisës për Prishtinën, i cili shumë shpejt pritet edhe të finalizohet.

AAK-ja ka filluar edhe takimet me qytetarët për të evidentuar edhe problemet me të cilat po ballafaqohen ata.

“Gjatë takimit me qytetarët kemi parë dhe kemi evidentuar probleme nga më të ndryshme me të cilat ballafaqohen. Nga pushtet e kaluara ka pasur edhe diskriminime nëpër lagje. Disa lagje pavarësisht numrit të madh të banorëve janë diskriminuar nga investimet kapitale, njëra ndër to është edhe ofrimi i shërbimeve komunale. Kryetari Haradinaj deri më tani ka dalë me disa pika kyçe në këtë program që e kemi publik”, ka thënë Kushtrim Xhemajli, shef për informim në Shtabin Zgjedhor të AAK-së në Prishtinë.

Shtabin Zgjedhor e ka formuar tashmë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, mirëpo, ende nuk kanë dalë me ndonjë plan konkret me të cilën synon ta rikthejë Prishtinën.

Kandidati për kryetar i kësaj partie, Përparim Rama tashmë ka filluar takimet me shtabin e po ashtu edhe me qytetarët e Prishtinës, të cilat po i bën publike në rrjetet e tij sociale.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka formuar ende një shtab zgjedhor për Prishtinën. Fillimisht po presin procesin e brendshëm zgjedhor që do të mbahet në mes të muajit korrik, e ku edhe do të bëhet i ditur edhe emri i kandidatit me të cilën do garojnë në kryeqytet.

Megjithatë, ata tashmë kanë filluar mobilizimin e strukturave përmes së cilëve është mundësuar edhe përpilimi i projektit që është në finalizim e sipër.

“Lëvizja Vetëvendosje do të nisë investimet kapitale në kryeqytet, do të sigurohet për transparencë radikale në vendimmarrje do të ketë një planifikim gjithëpërfshirës duke integruar të gjitha lagjet. Kjo pak a shumë janë pikat kyçe të Vetëvendosje ndërsa programin me pika konkrete do e publikojmë pas shpalljes së kandidaturës”, ka thënë Rinë Zhitia, anëtare e Kryesisë së VV-së në Prishtinë.

As PDK-ja nuk e ka formuar ende shtabin zgjedhor të Prishtinës. Megjithatë, edhe këta kanë filluar takimet me qytetarët dhe punët e tjera organizative për fushatën zgjedhore.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.