Arbëri

Qytetit pa lum që s’po i funksionojnë as fontanat

Në një qytet pa lum, fontanat janë ato që sjellin freski në temperaturat e larta për qytetarët e Prishtinës.

Derisa zakonisht funksionalizohen në fund të marsit, këtë vit gjysma e tyre janë të dëmtuara, raporton “038” i KTV-së.

Fontana në sheshin “Skënderbeu” ka qenë më atraktivja për kalimtarët dhe në veçanti fëmijët.

Por, këtë vit, fëmijët as që e kanë parë ujin e kësaj fontane.

Zyrtarët e Komunës së Prishtinës në anën tjetër nuk kanë dhënë ndonjë afat kohor se kur fontana do të rregullohet.

Drejtori në Sektorin e Shërbimeve Publike, Habib Qorri, ka thënë se për rregullimin e saj duhet pritur procedurat e prokurimit.

“Fontana i ka disa defekte brenda në sistem dhe duhet të bëhet një ndërhyrje. Sipas të gjitha gjasave, duhet të presim për një kontratë për riparim të saj, që është në kuadër të kontratës për mirëmbajtjen e të gjitha fontanave në kryeqytet”, ka thënë Qorri.

Zakonisht procedurat e tenderimit marrin kohë 2 javë.

Nëse ka ankesa atëherë rregullimi i fontanave mund të zgjatet edhe më shumë.