Arbëri

Pastrimi i kryeqytetit me fshesa e lopata

Descriptive Text

Fshesa e lopata për të pastruar Prishtinën. Ky lloj pastrimi ka nisur që disa javë në lagjet e kryeqytetit.

Në mënyrë të njëjtë, punëtorët e kompanisë “Dardania” pastruan edhe “Tophanen”.

“Janë dy lloje mënyrash që po bëhet pastrimi i rrugëve, përmes fshesave pra mekanizmi special dhe përmes mënyrës fizike, pra me punëtorë fizikë, ku nuk na lejojnë hapësirat apo kushtet teknike të rrugës. Për shkak të pengesave që i kemi për shkak të qarkullimit të automjeteve, ne detyrohemi që ato mekanizma që janë mjaft adekuate të mos i përdorim dhe të pastrojmë fizikisht”, ka thënë menaxheri i mirëmbajtjes për sezonin dimëror, Bujar Abazi.

Por, derisa janë parë duke pastruar fizikisht, qytetarët kanë kërkuar që ky pastrim të pasojë edhe me larje.

Komuna e Prishtinës arsyetohet se larja e rrugëve është ndërprerë vetëm gjatë sezonit dimëror.

“Për shkak se tashmë edhe nuk parashihet të ketë më reshje bore dhe shiu dhe ne parashikojmë që brenda kësaj jave të fillojmë me larjen e rrugëve, një aksion gjeneral të rrugëve. Sezona e dimrit karakterizohet për mirëmbajtje të rrugëve nga reshjet e borës nuk është për larje të rrugëve, por me ngritjen e temperaturave ne do e bëjmë këtë”, ka deklaruar Abazi.

Komuna e Prishtinës ka marrëveshje edhe me disa kompani të tjera të pastrimit për mirëmbajtjen e qytetit siç janë: Elbau, Zahiri, Niti-N dhe V-Mon.