Arbëri

Pas 17 muajsh pritjeje, nënshkruhet kontrata për “Muharrem Fejzën”

Është ndër rrugët më të frekuentuara në qytet dhe në të njëjtën kohë, më e dëmtuara.

Këtu përveç veturave familjare, për çdo ditë kalojnë kamionë me peshë të rëndë të kompanive ndërtuese.

Si pasojë, kalimi nëpër rrugën "Muharrem Fejza" në Mati 1 nuk është i lehtë.

Pas shumë kërkesave të banorëve të lagjes e pas 17 muajsh zgjatjeje të procedurave të tenderimit, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se është nënshkruar kontrata për shtrimin e kësaj rruge me kompaninë “Rahovica” dhe do të kushtojë në vlerë prej 701 mijë eurosh.

Sipas njoftimit të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, kjo rrugë do të rindërtohet sipas planit rregullativ me gjerësi të plotë dhe trotuare sipas standardeve.

“Pas muajve të tërë në OSHP, sot e nënshkruam kontratën e rindërtimit të Rrugës Muharrem Fejza sipas Planit rregullativ me gjerësi të plotë dhe trotuare sipas standardeve. Kontrata është fituar nga kompania Rahovica në vlerë prej 701 mijë eurosh. Nga të gjitha 2200 rrugë në Prishtinë, mendimi im personal është se nuk ka rrugë më të rëndësishme se kjo për tu investuar”, thuhet në njoftimin që ka bërë në Facebook kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Këtë lajm e kanë mirëpritur disa banorë, të cilët thonë se rindërtimi i kësaj rruge është më se i nevojshëm.

Shpresojnë se kjo rrugë do të ndërtohet më mirë.

Megjithatë, disa të tjerë janë skeptikë dhe thonë se nuk e besojnë se ndërtimi mund të bëhet sipas planifikimit në mungesë të hapësirës.

Këta thonë se nuk ka mundësi që kjo rrugë të funksionojë si dykahëshe për shkak se është shumë e ngushtë, ndërsa ankohen se nuk ka parkingje.

Njëjtë mendon edhe njohësi i çështjeve të urbanizmit, Driton Tafallari sipas të cilit, infrastruktura në Mati 1 është e dendur.

“Ajo lagje është bë jashtëzkaonisht keq. Është projekt urban që nuk është planifikuar për infrastrukturë. Është e pamundur në lagje ku jetojnë mijëra banorë të jetë një-shiritore”, tha ai.

Për herë të parë kjo rrugë është shtruar në vitin 2004, e që atëherë është rindërtuar disa herë. Cilësia e dobët e asfaltit dhe ngarkesat e shumta bëjnë që kjo pjesë të ketë shpesh nevojë për dorën e qeverisjes komunale.