Arbëri

Të pasurit e Komunës së Prishtinës, Arifaj “mbetet” miliarder

Visar Arifaj i Partisë së Fortë vazhdon të mbetet zyrtari më i pasur në Komunën e Prishtinës.

Piktura e deklaruar si kujtim personal me vlerë 1 miliardë euro, e bën këshilltarin komunal miliarderin e vetëm brenda Komunës së Prishtinës.

Ai ka të deklaruar aksione në vlerë mbi 262 mijë euro në shoqërinë komerciale “Trembelat”, banesë në vlerë 100 mijë euro në pronësi të prindit, 500 euro para të gatshme në një nga bankat në vend, të hyra vjetore nga tri burime: mbi 10 mijë euro pagë vjetore nga “Trembelat”, 1200 euro pagë vjetore si këshilltar në Kuvendin Komunal dhe të hyra vjetore 210 euro nga “Sbunker”. Po ashtu ai ka deklaruar edhe pensionin e prindit në vlerë vjetore 1344 euro.

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk ka të deklaruar pasuri të paluajtshme, duke shtuar se jeton në shtëpinë e vëllait, ndërsa si pasuri të luajtshme ka deklaruar një veturë “Skoda” në vlerë 10 mijë euro.

2500 euro në emër të tij e 2300 në emër të bashkëshortes i ka deklaruar si para të gatshme në institucione financiare.

Si detyrime ndaj institucioneve financiare ai ka deklaruar edhe kredit kartelë në vlerë 1200 euro.

16 mijë e 618 euro është paga vjetore e si kryetar komuna, 760 euro janë deklaruar si shpenzime të ribmursuara nga komuna. Ndërsa Ahmeti ka deklaruar edhe pagë vjetore të bashkëshortes në vlerë 8400 euro.

Më i pasur se Ahmeti është numri dy i komunës, Dardan Sejdiu.

Ai ka deklaruar shtëpi në vlerë 150 mijë euro, të blerë në vitin 2008 dhe banesë në pronësi të prindit në vlerë 85 mijë euro, dhe veturë në vlerë 8 mijë euro, në pronësi të tij.

Nënkryetari i Prishtinës, si para të gatshme në institucione financiare ka deklaruar 2 mijë e 300 euro, 2 mijë sosh si të përbashkëta, 11 mijë e 400 euro para të gatshme - pronësi e bashkëshortes dhe 31 mijë euro para të gatshme në pronësi të prindit.

Sejdiu ka deklaruar detyrime financiare ndaj dy bankave, kredi 22 mijë euro në njërën dhe 5 mijë në një bankë tjetër.

7560 euro është paga vjetore si nënkryetar Komune, ndërsa mëditje nga ky institucion ka përfituar: 2498 euro.

Si të hyre ai ka deklaruar edhe: 8 mijë 600 euro – pagë vjetore e bashkëshortes, 12 mijë euro pagë vjetore të prindit dhe pension vjetor të prindit në vlerë 3240 euro.

Të hyra më të mëdha se dy të parët e kryeqytetit ka kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore, Nexhat Kryeziu, njëherësh kandidat i LVV për deputet.

Ai ka deklaruar pasuri të paluajtshme: 1.5 hektarë tokë trashëgimi familjare e përbashkët, dhe banesë në pronësi të tij në vlerë 48 mijë euro.

Kryeziu ka deklaruar veturë në vlerë 16 mijë euro, ndërsa para të gatshme në emër të tij 2782 euro.

Të hyrat vjetore të tij na 6 burime në total kalojnë shifrën e 35 mijë eurove.

Prej tyre pagë si kryeshef në NPB: 19 mijë e 800 euro, honorar 4 mijë euro, 2222 euro nga sigurimi, 5000 euro nga një projekt me USAID, 1500 euro nga kolegji Universum dhe 2845 euro nga një projekt me Giz Office – Prishtina.

Kryesuesi Halim Halimi, jeton me qira ndërsa pasuri të paluajtshme ka deklaruar një hektarë tokë dhe mal në vlerë 10 mijë euro.

Halimi ka deklaruar po ashtu veturë Passat në pronësi të fëmijëve me vlerë 5000 euro.

Ai ka deklaruar 600 euro para të gatshme në emër të tij, 463 në emër të bashkëshortes dhe 420 në emër të fëmijëve.

Si të hyra, ai ka deklaruar: pagë vjetore si kryesues i kuvendit 9 372 euro, 5556 euro pagë vjetore të bashkëshortes dhe 5040 euro pagë vjetore të fëmijëve.

Shefi i asamblistëve të LDK-së në Kuvendin Komunal, Agim Gashi, në emër të tij ka deklaruar tokë në vlerë 150 mijë euro, tri banesa që së bashku arrijnë vlerën 170 mijë euro, shtëpi në vlerë 60 mijë euro dhe truall – pronësi e bashkëshortes në vlerë 12 mijë euro.

Ai nuk e ka deklaruar pasurinë e dy djemve të tij, duke thënë se ata jetojnë të pavarur me familjet e tyre.

Si pasuri të paluajtshme ai ka deklaruar një veturë Dacia me vlerë 9 mijë euro.

Para të gatshme në emër të tij ka deklaruar 2500 euro, ndërsa 1600 në emër të gruas.

Gashi pos pagës vjetore prej 2400 eurosh si këshilltar komunal, nga buxhet i shtetit përfiton në vit përfiton edhe 6100 euro të tjera si këshilltar politikë në MPB.

Ndërsa, gruaja e tij përfiton 5760 euro si mësimdhënëse në një shkollë në Prishtinë.

Ndërkaq homologu i Gashit, nga radhët e Vetëvendosjes, Qëndron Kastrati, të gjithë pasurinë e paluajtshme shtëpi, truall e lokale - që në total arrijnë vlerën e 350 mijë eurove e ka deklaruar si pronësi të prindit.

Edhe një veturë në vlerë 5000 euro ai e ka deklaruar në pronësi të prindit.

Kastrati ka deklaruar 4 euro para të gatshme në bankë ne emër të tij, 9 euro në emër të prindit në njërën bankë dhe 41 mijë e 800 euro para të gatshme në një bankë tjetër në emër të prindit.

Ai ka deklaruar katër detyrime financiare që në total arrijnë vlerën 5393 euro.

Të hyra vjetore ai ka deklaruar: pagën si këshilltar në KK – 2700 euro, pension për prindin nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – 5388 euro dhe pagë e prindit në KEK – 5952 euro.

Tek të dhënat tjerat me rëndësi – ai ka deklaruar 64 mijë e 528 euro të përfituara në vitin 2016 - për burgun politik që mbajtur i ati – Isa Kastrati.

Shefi i asamblistëve të PDK-së, Lirak Çelaj, pasuri të paluajtshme ka deklaruar një banesë vlerë 53 mijë euro, të përfituar më 2015, në emër të tij, tokë bujqësore të përbashkët në vlerë 125 mijë euro dhe shtëpi të prindit në vlerë 205 mijë euro.

Ai ka deklaruar 1 200 euro para të gatshme në emër të tij dhe 14 mijë euro në emër të prindit.

Ndërkaq, ai ka deklaruar një kredi prej 33 mijë e 200 eurosh për blerjen e banesës.

Në total nga buxheti i shtetit Çelaj për një vit ka përfituar mbi 18 mijë euro, prej tyre mbi 13 mijë si zëvendës ministër i drejtësisë, 2308 euro nga Kuvendi Komunal dhe 3 mije e 143 euro mëditje nga Ministria e Drejtësisë.

Ai ka deklaruar si të hyra edhe pagën vjetore të prindit në vlerë 9000 euro dhe pension të prindit në vlerë 5280 euro.