Arbëri

KRU “Prishtina” thotë se do të ketë furnizim me ujë gjatë festave të fundvitit

Pavarësisht rënies së nivelit të ujit në liqenet akumuluese sipërfaqësore Batllava (prej - 6.17 m nën nivelin e shkapërderdhjes) dhe Badovci - 11.35 m), Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton se po vazhdon me furnizim stabil me ujë të pijshëm në tërë zonën e shërbimit.

“Ndërprerjet e furnizimit me ujë në disa zona, kohën e fundit ndodhën si shkak i dëmtimit të rrjetit të ujit dhe normalisht që deri në sanimin e defekteve, detyrohemi të ndërprejmë edhe furnizimin me ujë të pijshëm”, njofton KRUP-i, duke aluduar për ditët e kaluara që pati ndërprerje uji. 

Tutje thotë se me të gjitha kapacitetet teknike operative, do të mundohet të ruajë tempon e furnizimit edhe gjatë festave të fundvitit.

“Neve si konsumatorë na mbetet të shpenzojmë racionalisht ujin e pijshëm, të paguajmë faturat e ujit dhe të mirëkuptojmë ndërprerjet e ujit kur ndodhin si shkak i dëmtimeve në rrjet”, njofton tutje KRUP-i.