Arbëri

Semafori i ri në rrugën “Fehmi Lladrovci” mirëpritet nga Urgjenca, por jo edhe nga këmbësorët

Descriptive Text

Reagime të ndryshme ka shkaktuar vendosja e semaforit në rrugën “Fehmi Lladrovci” në kryeqytet.

Me vendosjen e tij, këmbësorët më nuk mund të kalojnë rrugën pranë mbikalimit por duhet bërë atë në vendkalimin e ri, pranë semaforit i cili është edhe për ata që ecin.

Reagime ka pasur edhe nga shoferët duke e quajtur si të panevojshëm.

Por duket se vendosja e semaforit është bërë me kërkesë të Mjekësisë Urgjente, për ta përshpejtuar punën e ndihmës së shpejtë.

“Semafori është kërkesë e kahershme, për Qendrën e Mjekësisë Urgjente me qëllim që të ndihmohet kalimi sa më i lehtë, dhe të arrihet sa më shpejtë në vendin e ngjarjes tek të sëmurët të cilët kërkojnë ndihmë, mjekësorë”, ka thënë Isuf Bajrami, shef i Urgjencës. “Është e vërtetë që të dhënat e para sipas informatave që i kemi nga ekipet që janë në teren, është shkurtuar koha dhe ka lehtësuar dukshëm punën e autoambulancave, dhe ka shpejtuar kohën e intervenimit”.

Eksperti Bekim Ahmeti thotë se është mirë që semafori do të lehtësojë punën e urgjencës, por mund të mos ketë efektin e njëjtë te qytetarët.

“Është në përputhje me rregullat e komunikacionit në qoftë se shfrytëzohet vetëm prej emergjencës, përndryshe nuk është në përputhje sepse e kemi mbikalimin atje, në qoftë se ishte harmonizu apo rregulluar me një lift, atëherë këmbësoret e kishin pasur më lehtë që këmbësorët të hypin mbi këtë mbikalim, duke pasur për bazë personat me hendikep edhe personat të cilët janë të vjetër, edhe gratë shtatzëna edhe nënat me karroca”, ka thënë ai.

Nga komuna e Prishtinës thonë se kanë bllokuar kalimin e këmbësorëve .

“Janë vendosur semaforët dhe do të bëhet bllokimi i kalimit të këmbësorëve dhe në atë pjesë të rrethrrotullimit për arsye se ata e ngarkonin komunikacionin dhe e ngadalësonin qarkullimin dhe në atë pjesë do të vendosen laura që nuk do munden të kalojnë”, ka deklaruar Gëzim Mehmeti, drejtor i Investimeve Kapitale.

Disa qytetarë e kanë parë të nevojshme vendosjen e semaforit në këtë pjesë, pasi që aty afër ndodhet edhe shkolla e mesme e mjekësisë “Dr Ali Sokoli”.

Për të arritur më shpejt te pacientët, ekipe të urgjencës janë vendosur edhe nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare.