Arbëri

KRUP me këshilla për përdorimin e ujit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka publikuar një listë me këshilla se si të përdoret uji në objekte banesore/shtëpiake, në këtë kohë kur numri më i madh i qytetarëve po qëndrojnë të izoluar.

“Të gjithë ne tashmë e dimë rëndësinë dhe vlerat e pamohueshme që ka uji i pijshëm për njeriun dhe natyrën. E aq më shumë, kur tashmë jemi të mbyllur në shtëpitë tona si mënyra më ideale në përballje të drejtpërdrejt kundër virusit COVID-19. Uji i pijshëm është themelor për jetën dhe po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për shëndetin tonë”, thuhet ndër tjera në komunikatën e KRUP-it.

KRUP thotë se kontributi i kompanisë karshi përdorimit të ujit duhet të jetë i fokusuar në shpenzimin racional.

“Uji nuk kursehet vetëm në natyrë, ujin mund të kursejmë edhe në shtëpitë/banesat tona. Qëllimi i thirrjes për përdorim sa më të drejtë të ujit është i orientuar në ruajtjen e burimeve ujore për periudhat që po vijnë duke e ditë që në vendin tonë ka mungesë të theksuar të reshjeve atmosferike. Akumulacionet varen nga dy faktorë: reshjet atmosferike dhe shfrytëzimi racional i ujit nga ne”, thuhet në komunikatë.

Disa këshilla se si mund të përdorim në mënyrë sa më të drejtë ujin e pijshëm brenda objekteve të banimit,

-Kontrolloni paisjet hidrosanitare herë pas here për ndonjë rrjedhje të mundshme të ujit, sidomos në WC (guacën e tualetit) dhe rubinetin e banjos tuaj. Një rrjedhje e fshehur e ujit në tualet mund të çoj dëm prej 30-500 litra ujë. Me mundësitë që keni aktualisht, rregulloni çdo gjë që rrjedhë në banjon tuaj.

-Gjatë larjes së duarve, fytyrës dhe dhëmbëve, gjithnjë mbylleni mirë rubinetin përgjatë procesit të pastrimit dhe kështu ju kurseni rreth 20 litra ujë në minutë.

-Derisa jeni duke bërë dush dhe ndërkohë e ndalni rubinetin përgjatë pastrimit, kështu ju mund të kurseni deri në 570 litra ujë në muaj

-Shpeshherë ndodhë që rrjedhjet e ujit në guacën e tualetit të jenë krejtësisht të pa zhurmshme andaj, kontrolloni herë pas here.

-Nëse keni ujëmatës brenda banesës tuaj, kontrolloni herë pas here për ndonjë rrjedhje të mundshme por assesi të manipuloni me të.

-Kur përdorni makinën e larjes( lavatriçen) mbusheni kazanin në kapacitetin e tij të plotë.

-Kur pastroni me ujë pemët e perimet, mos lejoni që uji të rrjedhë vazhdimisht mbi to.

-Pastro duart vazhdimisht me ujë, mbaje higjienën personale por kujdes në përdorimin e ujit të pijshëm!