Arbëri

​Parku i Gërmisë e ai i qytetit të zbrazët, mbylljen e tyre e mirëpresin qytetarët

Mbrëmë është marrë vendimi që u ndalohet të gjithë qytetarëve frekuentimi i parqeve në të gjithë vendin nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 20:00, si masë parandaluese për përhapjen e virusit Covid-19.

Sot parku i Gërmisë ishte i zbrazët. Policia e Kosovës që është vendosur në udhëkryqin që dërgon te ky park, nuk lejonte qytetarët që të vazhdonin tutje, lejoheshin të kalonin vetëm banorët që kanë shtëpitë e tyre në atë pjesë.

E njëjta gjendje ishte edhe në Parkun e Qytetit, ku nuk shiheshin njerëz. Edhe ata pak njerëz që nuk kishin dëgjuar për vendimin, nuk kundërshtonin të largoheshin kur u kërkohej nga policët e Kosovës.

Këtë vendim po e quajnë të drejtë vet qytetarët, të cilët thonë se është për të mirën e tyre që të mbrohen nga ky virus.

Qytetari Maliq Demiri, thotë se është një vendim i drejtë që është ndërmarrë, pasi që përmes tij pamundësohet përhapja e koronavirusit.

“Ky vendim është i drejtë, që të mos infektohen edhe të tjerët”.

Sadri Gjonbalaj thotë se një vendim i tillë është dashur të merret më herët.

“Është me vend, kjo është dashtë edhe më herët me ndodh”, tha ai.

Grupi ndërinstitucional për menaxhimin e incidenteve ka marrë këtë vendim që të gjitha parqet nëpër të gjitha komunat e Kosovës të mbyllen nga ora 08:00 deri në orën 20:00.

Përveç këtij vendimi, ky grup ka marrë vendim për ndalimin e shitjes së pijeve të ngrohta përfshirë këtu shërbimet, shtimin e prezencës së Policisë së Kosovës në parqet e Republikës së Kosovës dhe të bëhet shenjëzimi i mbajtjes së distancës nëpër subjektet e ndryshme ekonomike.

Deri më tani në vendin tonë janë shënuar 24 raste me COVID-19./Ksp/