Arbëri

Në kryeqytet, pajisja me dokumente vazhdon edhe përkundër gjendjes me koronavirusin

Edhe pse më të paktë në numër, shërbyesit civilë kanë vazhduar ofrimin e shërbimeve për qytetarët që kanë vizituar Komunën e Prishtinës, për t’u pajisur me dokumente.

Nga ky institucion kanë thënë se i kanë marrë të gjitha masat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së pandemisë koronavirus. Por, kanë thënë se shërbimet për qytetarët do të vazhdojnë të funksionojnë, raporton KOHA.

“Janë reduktuar, por nuk janë ndërprerë shërbimet për qytetarë në asnjë prej drejtorive. Shërbimet për qytetarë janë duke u ofruar në të dyja objektet e Komunës së Prishtinës. Bashkësitë lokale do të jenë të mbyllura përveç atyre në ‘Ulpianë’, ‘Dardani’ , te ‘Xhamia e Llapit’ dhe ‘Taslixhe’, ku qytetarët mund të pajisen me dokumente të gjendjes civile, nëse kanë nevojë”, ka thënë zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu.

Në shërbim të qytetarëve janë edhe mbi 600 punëtorët e kompanisë “Pastrimi”, të cilët kanë vazhduar me grumbullimin e mbeturinave nëpër shtatë komuna të Kosovës.

Megjithatë, kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Burim Kelmendi, ka thënë se pas shtyrjes së pagesave për këtë shërbim rrezikohet funksionimi i ndërmarrjes dhe pagat e këtyre punonjësve.

Një riorganizim të punëve ka bërë edhe ndërmarrja e “Trafikut Urban”. Kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Lulzim Rexhepaj, ka thënë se linjat janë duke vazhduar me orare të rregullta me përjashtim të linjës për në Aeroport, pasi që ajo është linjë ndërurbane.

“Ndërmarrja vazhdon të ofrojë shërbim të transportit publik dhe Shtabi për Masa Emergjente do të jetë në monitorim të zbatimit të këtyre masave sipas vendimeve. Shtabi ka marrë vendim që të bëhet ekzekutimi i pagave për punëtorë për muajin mars 2020”, ka thënë Rexhepaj.

Ndërkaq, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit janë dezinfektuar të gjithë autobusët e “Trafikut Urban”.