Arbëri

Kurti takon grupin për mbrojtjen e liqenit të Badovcit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së ka pritur në takim përfaqësuesit e Grupit për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit.

Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se ata i prezantuan Kurtit kërkesat e tyre në lidhje me mbrojtjen e liqeneve akumuluese gjithandej vendit, kundërshtimin e ndërtimeve afër tij dhe problemet tjera ekologjike në përgjithësi.

“Ky grup ka kërkuar takim me Kryeministrin Kurti për t’i shprehur brengat dhe kërkesat e tyre në lidhje me këto çështje. Si Kryeministër i Republikës, Albin Kurti, ka thënë që dera e tij do të jetë gjithnjë e hapur, prandaj edhe dje i dëgjoi me vëmendje e kujdes kërkesat e këtyre qytetarëve. Gjendja me ujin e pijes nuk është e qëndrueshme, prandaj edhe nevoja për liqene artificiale është e madhe”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se në takim u diskutua edhe për lumenjtë, brigjet e shtretërit e të cilëve duhet të rregullohen e pastrohen, problemin me shpyllëzimin e maleve, të hidrocentraleve dhe deponive të hapura të mbeturinave.

“Tema e ambientit është problem botëror. Shteti i Kosovës duhet të jetë mbrojtës i mjedisit dhe i resurseve natyrore të saj”, thuhet tutje në komunikatë.