Arbëri

Qytetarët ankohen për ndërprerje të kohëpaskohshme të ujit në qendër të Prishtinës, KRU thotë se po detektojnë problemin

Descriptive Text

Disa banorë që jetojnë në qendër të Prishtinës, në zonën “Zahir Pajaziti” dhe rrugën “Bajram Kelmendi”, janë ankuar për ndërprerje të paparalajmëruar të ujit, dhe të kohëpaskohshme sot gjatë ditës, nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.

Në adresë të portalit Koha.net, sot gjatë ditës ka ardhur një ankesë nga një banor që jeton në sheshin “Zahir Pajaziti”. Duke dashur të mbetet anonim, ai ka thënë se kanë pasur telashe gjatë gjithë ditës me ndërprerje uji, duke i shkaktuar probleme e prishje në makinat që funksionojnë me ujë.

Koha.net ka kontaktuar zëdhënësen e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, por ajo ka thënë se problemi mund të jetë tek persona të cilët ndërhyjnë në volvola të ujit pa njoftuar paraprakisht Kompaninë e Ujësjellësit.

“Sa i përket anës sonë operative furnizuese, gjithçka është në rregull dhe nuk kemi ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm dhe asnjë defekt në rrjet të paraqitur nga ndokush”, tha Mjeku.

Mjeku, thotë se pasi kanë marrë ankesa nga disa qytetarët se këto zona s’kanë ujë, në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dërguar ekipe.

“Ekipet kanë dalë në këto dy zona dhe po tentojnë të detektojnë problemin për mosfurnizim me ujë. Por, mund të ndodhë që persona të pandërgjegjshëm të manipulojnë me valvola të rrjetit të ujit, apo ndokush që punon në zona të lokalizuara private, pa na njoftuar neve”, tha Mjeku.

Ajo shtoi se ekipet po vazhdojnë të jenë në terren dhe pas detektimit të rrjetit, do të lëshojnë njoftimin se ku ka qenë problemi për ndërprerje të kohëpaskohshme dhe pa orar të furnizimit me ujë të pijshëm.