Arbëri

Parku i Gërmisë, destinacioni kryesor i pensionistëve në Prishtinë

Ende pa zbardhur dita, filluan aktivitetet e tyre. Në orën gjashtë të mëngjesit, ata takohen në stacionin ku e presin linjën e trafikut urban, për të vazhduar në një destinacion të përbashkët, në parkun e Gërmisë.

Përkundër temperaturave dhe moshës së shtyrë, një grup pensionistësh nuk e ndryshojnë rutinën e krijuar për shumë vjet me radhë, raporton KTV.

Ata çdo ditë ecin në parkun e Gërmisë dhe nisin ditën me njëri-tjetrin. Kjo ka bërë që shumë prej tyre të krijojnë miqësi.

Kjo linjë e transportit publik është e vetmja që nuk ndalet në hyrje të parkut. Ajo, pensionistët dhe të tjerët i dërgon deri në pjesën e kafiterive.

Të moshuarit thonë se tashmë është më e lehtë, pasi që bileta e tyre mujore është falas.

Hizri Sherifi, njëri nga punëtorët e Trafikut Urban, tregon se ka shumë pasagjerë të pensionuar qysh në orët e hershme të mëngjesit, por edhe shumë qytetarë të tjerë që e frekuentojnë parkun e Gërmisë.

Eksperti i turizmit Zekë Çeku, thotë se pasuria më e madhe dhe me potencial që Prishtina ka, është parku i Gërmisë.

Parku i Gërmisë mbetet një nga vendet më të frekuentuara jo vetëm nga pensionistët, po gjithë banorët e komunës së Prishtinës, si ikje nga ajri i ndotur që është në pjesën më të madhe të qytetit.