Arbëri

Ankesa e frustrim në diskutimin publik me qytetarët që u mbajt pa praninë e Shpend Ahmetit

Mungesë e ujit, rrugëve të shtruara, kanalizimit, mungesë shkollash e çerdhesh, ishin disa nga problemet, të cilat u paraqitën para drejtorëve të Komunës së Prishtinës, në diskutimin publik të organizuar.

Qytetarët u ankuan edhe për faktin që drejtorët e komunës nuk i presin në takime, as pas disa tentimesh të vazhdueshme, raporton KTV.

Megjithatë, diskutimi i kësaj të hëne filloi pa praninë e kryetarit Shpend Ahmeti, për të cilin u tha se do t’i bashkohet debatit ndërkohë, por kjo nxiti reagimin e qytetarëve të pranishëm në këtë diskutim, të cilët e quajtën të papranueshme mungesën e të përzgjedhurit të tyre në këtë debat.

E, për kërkesat e tyre, u përgjigjën drejtorët e pranishëm në këtë diskutim, të cilët thanë se janë duke u marrë me disa nga këto çështje.

Me gjithë pritjet e qytetarëve, as pas 3 orëve diskutim, kryetari Shpend Ahmeti nuk u shfaq, e kjo u konsiderua nga qytetarët si injorim ndaj tyre.