Arbëri

Me gjithë premtimet, Prishtina pa zgjidhje për parkingje

Edhe dy vjet pas premtimeve se kryeqytetit do t’i shtohen hapësirat për vend-parkime, qytetarët vazhdojnë të kenë probleme në këtë drejtim.

Derisa ka të tillë që automjetet e tyre i parkojnë në hapësirat brenda oborrit të Universitetit të Prishtinës, qytetarë tjerë shfrytëzojnë trotuaret për ndalesa, raporton KTV.

Sipas tyre, Prishtina vazhdon të jetë e mbingarkuar nga automjetet, derisa shprehen se e kanë të nevojshme një zgjidhje për parkingje brenda kryeqytetit.

Se gjendja në kryeqytet nuk është e mirë, e thotë edhe eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti.

Ahmeti shton se Komuna do të duhej t’i kthente hapësirat e uzurpuara nga pronarët e parkingjeve private, duke shfrytëzuar kapacitetet maksimale të tyre.

Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, zyrtarë nga Komuna e Prishtinës kanë njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për parking nëntokësor te Fakulteti Filologjik, me kapacitet prej 700 vend-parkimesh.

‘’Komuna e Prishtinës tashmë e ka nënshkruar kontratën për projektin e parkingut nëntokësor te Fakulteti Filologjik, me kapacitet rreth 700 vend-parkime. Projekti është publiko-privat dhe afati i implementimit është 24 muaj’’, thuhet në përgjigjen nga Komuna e Prishtinës.

Ndërsa, punimet për fillimin e këtij projekti, pritet të nisin vitin e ardhshëm.