Arbëri

Nga pesë strehimore publike në kryeqytet, vetëm tri funksionale

Komuna e Prishtinës ka vetëm tri strehimore publike funksionale dhe dy të tjera jofunksionale. Dy nga këto tri strehimore shfrytëzohen nga kompania “Hortikultura”, e cila njëkohësisht është edhe përgjegjëse për mirëmbajtjen e tyre.

Qytetarët thonë se aktualisht ato i përdorin për ahengje familjare apo për ngushëllime, e jo për çka janë vërtet të destinuara, raporton emisioni “038” në KTV.

Ndonëse tërmeti i së martës u dëgjua edhe në Prishtinë, ato nuk u shfrytëzuan për një gjë të tillë.

Udhëheqësi i Sektorit për Emergjencë në Komunën e Prishtinës, Fatmir Bilalli, thotë se strehimoret janë të gatshme të përdoren nga qytetarët në rast të ndonjë tërmeti apo fatkeqësie tjetër.

Sipas tij, në to mund të sistemohen 250 deri në 350 persona.

Hisen Shala, i cili kujdeset për strehimoren në Kodrën e Diellit, thotë se një pjesë e saj shfrytëzohet nga punëtorët e Hortikulturës. Ndërsa, pjesa tjetër, sipas tij, shfrytëzohet nga ansambli “Bajram Curri”.

Shala thotë se kjo strehimore është e pajisur me ujë, rrymë dhe elemente të tjera të nevojshme.

Ndërkohë, Ejup Gashi, i cili përkujdeset për strehimoren në lagjen “Ulpiana”, ka thënë se kjo strehimore është mjaft e madhe dhe me infrastrukturë të mirë.

Derisa strehimoret në “Kodrën e Diellit” dhe në “Ulpianë” u bënë gjatë viteve ‘70, një strehimore tjetër u ndërtua pas luftës në Matiçan.