Në Tregun Mobil, fermerët thonë se më së shumti shiten produktet organike Foto: Koha

Në Tregun Mobil, fermerët thonë se më së shumti shiten produktet organike

Drenushë Maxhuni Drenushë Maxhuni 22 November 2019 21:16

Tregu Mobil u ndihmon fermerëve që të sigurojnë të ardhura për jetesë, por, njëkohësisht, qytetarëve u ofron produkte të freskëta dhe organike afër shtëpive ku jetojnë. Tezgat e fermerëve janë të mbushura plot me perime, ushqime tradicionale, fruta të thata dhe lëngje frutash pa sheqerna.

Fermeri Gëzim Demaqi, në këtë treg, më së shumti kërkohet nga klientët për brokolin organik dhe lulelakrën. Të dyja këto ai i kultivon në serat të cilat i ka në fshatin Lupç të Podujevës, ku jeton bashkë me familjen e tij, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Tash e pesë vjet, qytetarët në Prishtinë e kanë mundësinë që t’i shijojnë disa nga gatimet tradicionale të Mihane Abdullahut, e cila i sjell këto ushqime nga Lipjani. Me këtë biznes familjar ajo e mban të gjithë familjen por, gjatë sezonit të verës thotë se marrin edhe punëtorë sezonalë.

Produktet tradicionale si ajvari, turshitë dhe flija, sipas saj, janë shumë të kërkuara edhe nga mërgimtarët gjatë sezonit të verës.

Për produkte të thata në këtë treg gjendet Isa Muriqi, i cili gjatë gjithë verës i kultivon prodhimet si arrat, lajthitë dhe gështenjat, kurse në vjeshtë i sjell në treg për shitje. Me këtë veprimtari, Muriqi merret tash e 20 vjet. Ai thotë se çmimet për këto produkte janë të arsyeshme për qytetarët.

Ndërsa qytetarët e mirëpresin mundësinë që të furnizohen me produkte organike dhe të freskëta nga tregu mobil.

Ditën e martë, ky treg vendoset në sheshin “Zahir Pajaziti”, të mërkurën në lagjen “Dardania”, te sheshi “Bill Clinton”, kurse të enjten te sheshi “Adem Jashari”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme