Arbëri

Në Prishtinë ka nisur riparimi i 25 këndeve të lodrave për fëmijë dhe 20 terreneve sportive

Ndërmarrja Publike Banesore në kryeqytet ka nënshkruar kontratë me Komunën e Prishtinës për riparimin e 25 këndeve të lodrave për fëmijë dhe 20 terreneve sportive. Sipas menaxherit të Departamentit të Intervenimeve Urgjente në këtë ndërmarrje, Dritëro Çadraku, vlera e kontratës është 120 mijë euro.

Menaxheri i Departamentit për Intervenime Urgjente në këtë ndërmarrje, Dritëro Çadraku, tha për Radio Kosovën se deri më tani janë riparuar një pjesë e këtyre hapësirave në disa lagje, ku janë vendosur lodra të reja, rrethoja dhe ulëse.

“Deri tani janë rinovuar 18 kënde të lodrave, 2 janë në proces, tri janë të demoluara tërësisht, s’kemi pasur mundësi t’i riparojmë, do të ndërtohen të reja. Terrene sportive janë përfunduar 12, një është në proces dhe një që ka qenë te “Qafa”, ku ka filluar të ndërtohet një park, nuk do të ekzistoj më, pra do t’i ndërrohet destinimi” tha Çadraku.

Pas riparimit të këtyre hapësirave rekreative, Çadraku tha se do të vendosen edhe tabela me numrat kontaktues pa pagesë të ndërmarrjes, ku qytetarët mund t’i lajmërojnë keqpërdorimet eventuale.

“Ne i lajmërojmë autoritetet dhe ata hapin rast. Zakonisht e lajmërojmë Policinë kur vërejmë ndonjë rast diçka, ndonjë vandalizëm”, tha ai.

Se shumica e hapësirave për lodra dhe terreneve sportive janë në gjendje të keqe, kanë deklaruar edhe disa qytetarë të anketuar në kryeqytet, por këta të fundit fajin ua kanë lënë vetë banorëve.

Mejreme Gashi tha se lodrat po keqpërdoren nga fëmijët e moshës më të rritur, andaj, sipas saj, lodrat po dëmtohen.

“Me lodrat jemi shumë të kënaqur, por me fëmijët që nuk iu përkasin këtyre lodrave hiq, të shkaktojnë nervoz shumë të madhe”, tha Gashi.

Në kryeqytet, ishte intervenuar edhe para dy viteve nëpër parqe, në disa prej të cilave ishin vendosur tërësisht lodra të reja, por të cilat janë demoluar.