Arbëri

Digjen kabllot e një trafostacioni në “Breg të Diellit”, KEDS bën thirrje për kujdes

Disa kabllo të KEDS-it janë djegur në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, si pasojë e pakujdesisë së qytetarëve.

Sipas një njoftimi nga KEDS persona të pakujdesshëm kanë hedhur mbeturina tek një trafostacion, të cilat pastaj janë ndezur, e me ç ‘rast janë djegur kabllot e rrymës.

Por, sipas KEDS-it, falë reagimit të shpejt është evituar djegia komplet e trafostacionit.

“Persona të pakujdesshëm kanë derdhur mbeturina tek një trafostacion në Breg të Diellit. E në bazë të vlerësimeve fillestare, persona tjerë të pakujdesshëm gjithashtu kanë pirë cigare aty duke shkaktuar djegien e mbeturinave. Nga djegia e tyre janë djegur kabllot. Por, falë reagimit të shpejtë të punëtorëve të KEDS-it është evituar djegia e komplet trafostacionit”, thuhet tutje në njoftim.

KEDS përmes këtij njoftimi thotë se dënon fuqishëm këto akte, derisa apelon te qytetarët për kujdes.

Ata kërkojnë që trafostacionet të mos shndërrohen në deponi mbeturinash, duke shtuar se ato shërbejnë për energji elektrike.

“Pra, duhet të kujdesen si një aset që u shërben ekskluzivisht atyre. Të njëjtën kohë të evitohet çfarëdo djegie apo ndezje e gjërave në afërsi, pasi paraqet rrezik potencial për jetë apo të dëmtimit të pajisjeve që u shërbejnë qytetarëve të vendit”, thuhet tutje në njoftim.