Arbëri

91 milionë euro buxhet, Prishtina planifikon të ndërtojë tunel e thertore publike

Vetëm 4 milionë euro më shumë buxhet do të ketë Prishtina në vitin e ardhshëm, krahasuar me atë aktual.

Buxheti i miratuar në fund të shtatorit kap gjithsej shifrën e 91 milionë eurove, 11 nga të cilat janë nga granti qeveritar që Prishtina e merr nga Ligji për kryeqytetin.

Vazhdimi i shesheve në rrugën “George Bush” dhe “Luan Haradinaj” është ndër projektet më mëdha të këtij buxheti.

500 mijë euro për sheshin deri te katedralja, derisa 2.5 milionë euro ka ndarë Komuna për tunelin në rrugën “Agim Ramadani”.

Nga këtu, me kërkesë të LDK-së, janë tërhequr 500 mijë euro të cilat janë ridestinuar për rrjet të ujësjellësit në fshatrat e Gollakut.

1 milion e gjysmë vitin e kaluar kishte ndarë Komuna e Prishtinës për tregun e ri, shuma e njëjtë është ndarë edhe këtë vit për projektin e njëjtë që ka vite që premtohet e që nuk realizohet.

Shumë zhurmë është bërë për planin e mobilitetit dhe se si ai kërkon shumë para për t’u implementuar, por Komuna e Prishtinës ka ndarë vetëm 1 milion euro për zbatim të tij në pjesën urbane.

Prishtina ka ndarë 400 mijë euro për një thertore publike dhe një treg të kafshëve.

Ndërkohë, vetëm 100 mijë euro janë ndarë për trajtim të shpezëve.

Buxheti i këtij viti nuk ndryshon shumë me atë të vitit të kaluar, as për nga shpenzimet.

75 mijë euro për telefona, e 25 mijë euro për dreka e darka.

I kishin premtuar që nga viti i kaluar, por vetëm për vitin 2020 janë ndarë mjetet për të blerë 5 e-kioske në vlerë prej 70 mijë euro.

800 mijë euro për mirëmbajtje të rrugëve gjatë dimrit.

200 mijë janë ndarë për blerje të kontejnerëve të rinj.

40 mijë euro për tualetet publike në Gërmi.

Prishtina mbetet qytet pa muze dhe për ta ndërtuar një janë ndarë 200 mijë euro, ndërsa 1 milion e 500 mijë për sallën koncertale.

Derisa janë ndarë para për gëlqerosje e rregullim të shkollave, në buxhet nuk figuron asnjë cent për shujtat, kiflet e qumështin në shkolla.

Për Komunën e Prishtinës mbetet problem shpenzimi i buxhetit, ngase për çdo vit ajo bart mjete.

Mbi 23 milionë euro kishte bartur komuna këtë vit nga ai 2018.