Arbëri

UP-ja s’do të lejojë Komunën të ndërtojë parking nëntokësor brenda Kampusit

Universiteti i Prishtinës nuk e ka ndërmend t’ia japë pëlqimin Komunës së Prishtinës që brenda hapësirave të saj të ndërtojë parkingje nëntokësore.

Në një shkresë, të cilën Këshilli Drejtues i UP-së ia ka dërguar më 21 shkurt kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, thuhet se UP-ja është e shqetësuar se si asnjëherë nuk është kërkuar pëlqimi i organeve të universitetit për projekt-idetë e komunës për hapësirat e këtij institucioni.

Për të gjitha këto çështje përgjigje nuk kanë dashur të japin zyrtarët e komunës së Prishtinës, me arsyetimin se ende nuk janë njoftuar zyrtarisht nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, derisa nuk kanë mundur të konfirmojnë nëse e kanë pranuar shkresën e Këshillit Drejtues të UP-së.

Opozita në komunën e Prishtinës thotë se janë pro një projekti të tillë, por që sipas tyre, për këtë duhet të merren pëlqimet paraprake nga ana e institucioneve.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës, nga viti 2009, ka paraparë ndërtimin e disa parkingjeve nëntokësore, në mesin e tyre edhe në lokacionin brenda hapësirave të UP-së.