Prishtinës i mungojnë shtigjet për çiklistë dhe hapësirat për këmbësorë Foto: Ilustrim

Prishtinës i mungojnë shtigjet për çiklistë dhe hapësirat për këmbësorë

18 September 2019 16:25

Në kuadër të Javës Evropiane të Mobilitetit, kolegji “Tempulli” gjatë ditës sotme ka mbajtur një tryezë mbi temën “Ecja, çiklizmi dhe transporti urban”. Me këtë rast u tha se duhet të punohet më shumë në krijimin e shtigjeve të reja për çiklizëm dhe hapësirës për ecje në Prishtinë, ndërsa për trafikun urban u theksua se është vendosur në binarët e duhur.

Drejtori i kolegjit “Tempulli”, Muhamet Krasniqi duke përmendur rëndësinë e kësaj jave të mobilitetit tha se duhet të krijohet vetëdija te qytetarët për të lëvizur pa makina.

“Trafiku urban është vendosur në binar të duhur dhe përditë e më tepër është i pranishëm te qytetarët me shërbimet e veta profesionale, por dhe miqësore te qytetarët e Prishtinës. Ndërsa, telashe ende kemi sa i përket çështjes së çiklizmit, apo me fjalë të tjera shtigjeve për çiklistë dhe hapësirës së dedikuar për këmbësorë”, tha ai, raporton ksp.

Ndërkaq, asamblisti Adrian Berisha tha se është e rëndësishme promovimi i ecjes, çiklizmit jo vetëm në kryeqytet, por në gjithë Kosovën.

Për mos realizimin e disa projekteve karshi këtyre aspekteve, Berisha tha se ende nuk ka një mendësi objektive për të punuar për të mirën e qytetit.

“Mungesa e resurseve humane, të cilën e kemi si institucione, nuk është një mendësi objektive për të punuar për të mirën e qytetit shpesh herë. Por e kemi këtë problemin e subjektivitetit në institucione”, tha ai.

Nga Komuna e Prishtinës, koordinatorja për Plan të mobilitetit, Vjollca Podvorica dha detaje më shumë për javën e mobilitetit që ka nisur me 16 shtator dhe do të përfundojë më 22 shtator.

“Java do të fillojë me ditën pa automjete që do të mbahet të dielën dhe ku qendra e qytetit do të bllokohet për mjetet e motorizuara prej orës 11:00 deri në orën 20:00. Aktiviteti kryesor do të mbahet në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, i kemi hartat e planit të mobilitetit, strategjitë që janë zhvilluar në bashkëpunim me shumë hisedar gjatë një viti e gjysmë. Janë strategji që janë zhvilluar për këmbësorë, çiklistë për transport publik”, u shpreh ajo.

Ndryshe, Java Evropiane e Mobilitetit zhvillohet prej vitit 2002 në vendet perëndimore.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme