Arbëri

Hyrje daljet e Prishtinës me rrethrrotullime, shpesh të stërngarkuara

Për të hyrë apo për të dalë nga kryeqyteti, komunikacioni kryesisht është i rregulluar me anë të rrethrrotullimit.

I projektuar si një mundësi ideale për t’i ikur tollovisë, duket se një rregullim i tillë nuk ka ofruar zgjidhjet më të mira, raporton 038 i KTV-së.

Rrethrrotullimi në drejtim të Mitrovicës dhe Fushë Kosovës shpesh mbetet një nga pikat më të ngarkuara në hyrje-daljet e Prishtinës.

Pak a shumë, gjendje e njëjtë paraqitet edhe në atë që shpie në drejtim të Ferizajt.

Megjithatë, sipas njohësve të komunikacionit rrugor, rrethrrotullimet mbesin zgjidhja më e mirë.

Madje, sipas Nol Dedës, në vendet e Evropës, para një viti ka filluar ndërtimi i disa modeleve të reja të ashtuquajtura “turbo rrethrrotullime”, për të shmangur tollovinë.

Edhe në Policinë e Kosovës, rrethrrotullimet i shohin si zgjidhje më të mirë se semaforët.

Shkaktarë të tollovisë, sipas Policisë, janë shoferët që nuk e respektojnë përparësinë e hyrjes dhe daljes nga rrethi, e po ashtu edhe renditjen.

Ndërsa shtojnë se në katër-mujorin e parë, në rrethrrotullimet e kryeqytetit, janë shkaktuar rreth 30 aksidente, kryesisht të lehta.

Rrethrrotullimi më problematik, sipas policisë, mbetet ai te spitali, ndërsa më i rrezikshmi ai nga drejtimi i Mitrovicës, ku zhvillohet shpejtësi më e madhe.