Arbëri

Komuna e akuzon Vetëvendosjen se po manipulon nxënësit e “Ahmet Gashit” në protestë

Me këtë vendim, Komuna e Prishtinës e ndërpreu mësimin në objektin e Gjimnazit “Ahmet Gashi”, i cili pritet të rrënohet.

Një gjë e tillë nxiti edhe reagimin e nxënësve dhe stafit të shkollës.

Në kohën e fillimit të mësimit, ata e nisën protestën e cila vazhdoi para objektit të Komunës, raporton KTV.

Nxënësit po kërkonin të mos ndërrohet lokacioni i shkollës.

Mes brohoritjeve të shumta, ata vazhduan të kërkonin një takim me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Edhe Ilmi Reçica, drejtor i shkollës tregon se ka paqartësi rreth dislokimit të nxënësve dhe rrënimit të shkollës.

Protesta e nxënësve vazhdoi deri në kohën kur u njoftuan nga stafi i Komunës së Prishtinës se nuk do të ketë takim me Shpend Ahmetin.

E në vend të kryetarit të komunës, me mësimdhënësit e Gjimnazit “Ahmet Gashi” u takua asamblisti Adrian Berisha.

Mes tyre pati edhe një përleshje verbale.

E gjatë ditës, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, arsyetoi vendimin për rrënimin e objektit të shkollës.

Ajo shtoi se janë marrë vesh edhe me këshillin e mësimdhënësve dhe nxënësit që të hënën ata të fillojnë mësimin në shkollat sipas vendimit të komunës. E po ashtu, insistoi se në të njëjtin lokacion, do të ndërtohet shkollë e re.

E në anën tjetër, pati edhe akuza se nxënësit ishin të manipuluar politikisht nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nxënësit e Gjimnazit “Ahmet Gashi” do të vijojnë mësimin në shkolla të tjera, pasi që sipas vendimit që e ka marrë Komuna e Prishtinës, objekti do të rrënohet.

Nxënësit e klasës së dhjetë do të fillojnë mësimin në shkollën fillore Emin Duraku, ndërsa nxënësit e klasave të njëmbëdhjeta dhe dymbëdhjeta në Gjimnazin “Sami Frashëri”, në ndërrime të pasdites.