Arbëri

Tri lagje të Prishtinës përballen me mungesë uji, Ujësjellësi në kërkim të shkakut

Descriptive Text

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” u ka kërkuar falje konsumatorëve që jetojnë në pjesën e re të lagjes “Arbëria”, “Dardania” dhe “Kalabria” të cilat lagje linjën furnizuese e kanë nga rezervuari i Arbërisë në Prishtinë që po bëhen shtatë ditë detektim dhe inspektim i rrjetit të ujësjellësit për gjetjen e defektit në gypin që i furnizon këto tri lagje me ujë të pijshëm.

“Me këtë rast, kemi humbje të ujit dhe rënie të presionit në katet e larta të lagjeve të lartcekura. E kemi cekë edhe herën e fundit që, inspektimi po realizohet nën dyshimin e bazuar në dëmtim nga disa palë të treta, ku ne si ujësjellës nuk jemi duke u informuar me kohë nga palët e tjera, derisa ende nuk po dihet saktësisht natyra e defektit të shkaktuar në atë rrjet”, është thënë në njoftimin e Ujësjellësit “Prishtina”.

Sipas këtij njoftimi, ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit janë vazhdimisht në terren duke e bërë të pamundurën në saktësimin e rrjedhjes së ujit dhe janë duke u marrë sistematikisht me këtë problem.

“Hap pas hapi, në shumë puseta, ujëmatës zonal dhe rrjetin në përgjithësi, pasi që ky rrjet ka një shtrirje të gjerë dhe vështirësi teknike deri në gjetjen e avarisë”, ka njoftuar Ujësjellësi “Prishtina”.