Arbëri

Në shesh vendosen pemë, në pjesë të tjera të kryeqytetit thahet gjelbërimi

Foto: Koha

Autoritetet komunale të Prishtinës të enjten kanë përuruar edhe 5 njësi të pemëve për pastrimin e ajrit në sheshin “Zahir Pajaziti”. Një e tillë është vendosur vjet në të njëjtin shesh.

Me këto pemë synohet të ulet shkalla e ndotjes së lartë në Prishtinë. Matjet e bëra nga Ambasada Amerikane në Prishtinë vjet e kanë nxjerrë kryeqytetin kosovar ndër më të ndoturit në botë në disa periudha kohore, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, nuk ka përmendur ndonjë plan eventual për masa antindotje përpara fillimit të sezonit dimëror, por ka folur për rëndësinë që kanë këto pemë për ajrin.

Pemët e vendosura në këtë shesh u rezistojnë kushteve klimatike në çdo stinë.

Por derisa në shesh janë vendosur pemë të gjelbra, në pjesë të ndryshme të Prishtinës qytetarët ankohen për mosujitjen e hapësirave të gjelbra.

“Gjelbërimin s`po e mirëmban askush. Po shihet që ato pak lule janë tharë. Bashkë me to edhe bari”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)